Turkish Airlines u zhvendos në aeroportin e ri të Stambollit, pasi qendra e re gjigante mori shumicën e trafikut të pasagjerëve që trajtohej më parë nga aeroporti Ataturk.
Linja ajrore e quajti këtë lëvizje, që u zhvillua për 45 orë, si “më të madhen në historinë e aviacionit”.
Operacionet përfshinë transportimin e më shumë se 47,000 tonë pajisje në 686 kamionë dhe automjete të tjera 40 km larg bazës së vjetër. Kompania zhvendosi gjithashtu 337 avionë në vendndodhjen e re. Ky operacion bllokoi 3 autostrada kryesore dhe pezulloi të gjithë trafikun në aeroportet Ataturk dhe të Stambollit për 12 orë, gjatë natës.
Gjatë fundjavës, stafi i Aeroportit të Stambollit, mirëpriti kompaninë në “shtëpinë e re”. Aeroporti i ri i Stambollit, që kushtoi më shumë se 8 miliardë dollarë dhe që bën pjesë në një nga disa mega projektet e mbështetura nga presidenti Erdogan, do të ketë fillimisht kapacitet për 90 milionë pasagjerë në vit, që është sa kapaciteti i aeroportit ekzistues më të madh në botë.
Qeveria turke ka plane të mëdha për aeroportin e ri dhe synon ta kthejë në aeroportin më të madh në botë, me një kapacitet prej 200 milionë pasagjerë në vit.
Pavarësisht se presidenti e hapi aeroportin e ri në Tetor të vitit të kaluar, trafiku i pasagjerëve ka qenë i limituar për shkak të grevave. Por tashmë, qendra e re pritet të zëvendësoi godinën e vjetër të Ataturk.
Fluturimi drejt Singaporit gjatë fundjavës, shënoi të fundit nga Turkish Airlines nisur nga aeroporti Ataturk.