Nga Erion Kristo
Shqiptarët krenohen për shqiptarinë, por pak e duan atdheun. Për të kuptuar këtë nuk ka nevojë për sondazhe: shumë shqiptarë e kanë braktisur, po e braktisin dhe duan ta braktisin vendin. 10 mijë fëmijë shqiptarë kanë lindur vetëm në Itali. Por nuk duam t’i bëjmë me faj njerëzit që ikin, sepse largimi i tyre nuk bëhet në kushte kënaqësie, por dëshpërimi. Njeriu nuk ka 100 jetë. Gjithsesi ata që ikin, ikin nga ky dhe. Po dhe ata që nuk ikin, shpesh u janë vërsulur copëzave të Shqipërisë si ujq të uritur kopesë së shqerrave. Po sakatohen perlat miliona vjeçare sa hap e mbyll sytë: Valbona, Holta, laguna, pyje, brigje, lumenj, nëntokë. Ndoshta disa njerëz që rrinë, rrinë se ia nxjerrin inatin dheut që i mban mbi shpinë. Dhe nuk e duan atë “për një stan në Trebeshinë”, siç thoshte poeti me dy emra. Të duash atdheun do të thotë të duash atdhetarët, ata që ishin të parët. Sot më shumë dashuri shfaqet për CR7 se sa për mendjet e arta që ruajtën gjuhën, kulturën, zakonet, që themeluan shtetin, që derdhën gjakun. Njerëzit flasin vetëm për futbollin, betohen për futbollistët, sherrosen për ta, por jo për “shpirt të të parëve”. Qindra njerëz dalin e festojnë nëpër rrugë me makina e flamuj, me veshje e bori, për fitoret e ekipeve të botës, ndërkohë që se kanë idenë kush luftoi për këtë vend. Ne nuk kremtojmë përvjetorë të rëndësishëm që lidhen me figurat tona historike, ndërkohë, bota shpik të tillë, edhe kur nuk ka patur, madje ua merr fqinjëve syleshë. Te këta syleshët hyjmë dhe ne hera-herës. Si mund të kalonte në heshtje 100-vjetori i Ismail Qemalit, kremtimet për Isa Boletinin, Fishtën etj.?
Kjo mungesë vëmendjeje popullore është një lloj tradhtie, por kjo nuk është asgjë në raport me tradhtinë e shtetit. Shteti nuk merr përsipër të përkujdeset për madhorët e kombit. Po prapë, edhe kjo nuk është gjë. Më e keqja është se ata që e kanë për detyrë, studiuesit, historianët, antropologët, nuk merren fare me edukimin e njerëzve. Ata mjaftohen që dinë disa fakte vetë, që dalin mirë nëpër debate televizive duke ia shkarë personalisht njeriut që kanë përballë, dhe kaq. Këtu përfundon gjithë dija e tyre. Në Shqipëri sot promovohen figura me dritëhije dhe lihen në hije figura të ndritshme. Ka një shejtanllëk në këtë mes. I shohim krerët tanë që të qëndrojnë me kokëfortësi në pozicione ideologjike, por nuk i shohim të nderojnë askënd nga pararendësit tanë. Mungesa e nderimit për ngjarje dhe personazhe tregon mungesë mirënjohjeje dhe vlerësimi.
Të duash vendin tënd do të thotë të duash historinë tënde. Fizarmonika e historisë duhet të hapet. Nëse mbahet e mbyllur ajo nuk prodhon tinguj. Nëse hapet derdhet magjia e tingujve, sepse historia jonë është e pasur. Historia jonë nuk fillon as me shtetin modern, as me mbretërinë, as me diktaturën apo postdiktaturën. Historia jonë është shumë shekullore. Ne duhet ta njohim dhe ta duam atë. Aty do të gjejmë emra për t’u vënë fëmijëve, lokaleve, shkollave. Të duash atdheun tënd do të thotë të duash trashëgiminë kulturore. Ta duash atë gjithë kohës, ta studiosh, ta pastrosh, ta kullosh, ta përcjellësh në kohën postmoderne. Të mos kujtohesh për vlerat e lahutës kur tjetri të merr meritat. Të duash mëmëdheun do të thotë të duash ata që banojnë në këtë dhe. S’mund të ketë mëmëdhe pa ata që i japin kuptim dheut. Duhet të shtojmë dashurinë për njëri-tjetrin, nuk po themi shumë, por të paktën sa dashuria që kemi për të huajt. Por duhet të duam në të njëjtën kohë edhe ata njerëz të cilët ikën nga ky vend, për arsye të ndryshme, por që nuk mund ta shkundin dot farën e shqiptarisë nga vetja. Detyrimi i shenjtë është jo vetëm për ta, por dhe për fëmijët dhe nipat e tyre. Dhe për shqiptarët e mëhershëm, të larguar nëpër shekuj, apo për shqiptarët që kemi fare pranë nesh. Dhe kjo nuk bëhet me samite, ku më shumë rëndësi kanë kostot se sa përmbajtja, por me dëshirën e mirë për të krijuar një shtëpi të bukur ku të mblidhen të gjithë.
Atdhedashuria është qëndrim, është përmbajtje, por dhe formë. Ne duhet ta shpalosim atdhedashurinë, të mos kemi drojë. Si mund të kemi frikë të tundim flamurin, pikërisht në Ditën e Flamurit? Ta gdhendim në gur, në mermer, në dru, në zemër, në lëkurë, e kudo tjetër simbolin. Simboli është përbashkues. Kurse simbolet e institucioneve të ndryshme kombëtare janë antiligjore. Këtë atdhe nuk na e kanë falur, as e kemi marrë borxh. Është i yni. Të gjitha llogaritë fillojnë me të e mbarojnë me të. Këtë kthjelltësi na e kanë përcjellë pararendësit, këtë duhet ta përcjellim më tutje. Është e papranueshme të kemi dashuri për të tjerët dhe urrejtje për veten. Le t’i ndryshojmë kahun ekuacionit dhe do të marrim vlera të reja. Le ta lëmë Ronaldon të hedhë valle në zemrat e kombit të vet ose të atyre që e paguajnë, dhe të hapim skenën e zemrës sonë për ata që i përkasin gjakut tonë. Na ka rënë për pjesë të bëjmë atë që nuk bën shteti, ndaj duhet të japim shumëfishin e vetvetes, sepse sado që të japim, prapë do jetë shumë pak në krahasim me atë që kanë dhënë ata që qenë përpara nesh. Ne mbetemi xhuxhë përpara gjigandëve të tillë. Ndaj t’i lartojmë siç u ka hije.