Aktualitet Atentat ndaj Kevin Hajrullës në Vlorë. Plumbat prekin edhe një kalimtar të...

Atentat ndaj Kevin Hajrullës në Vlorë. Plumbat prekin edhe një kalimtar të rastit

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në Vlorë mbrëmjen e së mërkurës.

Njëri nga të plagosurit është Kevin Hajrulla 29 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas hetuesve, Hajrulla ishte dhe objektiv i atentatit.

Ndërsa i plagosuri i dytë është një qytetar që nuk ka lidhje me ngjarjen. Qytetari shiste fruta-perime pranë vendit ku ndodhi breshëria e armëve dhe u prek nga plumbat. Ai është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “24 Maji”. Makina e të plagosurit Kevin Hajrulla është bërë shoshë nga plumbat, siç duket edhe në pamje.

Sa i përket autorëve, nuk dihet asgjë. Automjeti i tyre u gjet duke u djegur pak minuta më vonë në autostradën Vlorë-Fier. Brenda mjetit policia gjeti 2 kallashnikovë dhe 2 krehëra kallashnikovi.

NJOFTIMI PARAPRAK I POLICISË SË VLORËS:

Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç,  i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.

Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.