Është zhvilluar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda seanca në ngarkim të Ahmet Ajetit, i akuzuar për një atentat ndaj Lulëzim Berishës në vitin 2005, i cili konsiderohet si kreu i “Bandës së Durrësit”.
Gjatë deklaratës së tij, shtetasi kosovar, Ajeti mohoi se i ka bërë atentat Lulëzim Berishës. Ai u shpreh se së bashku me të akuzuarin tjetër, Osman Karpuzin kanë takuar dy persona në Tiranë të cilët iu ofruan një punë në Durrës. Ajeti shton se pasi ka marrë vesh se puna ka qenë vrasja e një personi, ai ka refuzuar dhe për këtë arsye u vetëplagos në bark
Dëshmia e plotë e Ahmet Ajetit:
“Unë erdha në Maqedoni me Osman Karpuzin. Në Tiranë na u afruan dy persona të cilët thanë që do na gjenin punë, por puna ishte në Durrës. Udhëtuam drejt këtij qyteti, ku u vendosëm në një hotel. Personat na thanë që ishte hoteli i tyre.
Ditën e nesërme ata dy personat na sollën një armë dhe një fotografi. Na kërkuan të vrisnim personin në foto. Më shumë ata folën me Osmanin. Nuk deshëm të bënim vrasje, por ata na thanë se nuk kishim shpëtim. Atëherë unë vendosa të vetësakrifikohem. Kur Osmani doli për të blerë cigare, unë mora armën dhe në hyrje të godinës u vetëplagosa në anën e majtë të barkut. Këtë e bëra pasi nuk doja të bëja vrasje. Unë kisha mbërritur në Shqipëri për punë, pasi jam kryefamiljar dhe vëllanë e kam invalid lufte. Nuk mbaj mend si dhe kush me çoi në spital. Aty erdhën dy personat dhe më kërcënuan të mos flas, ndryshe nuk do ta shikoja më vëllanë. Më mori policia në pyetje dhe na çuan në një ndërtesë, ku na ruajti policia. Policisë i thashë që jam përplasur në një sherr banal me disa persona, që më plagosën.
Na ka shoqëruar polici që na ruante bashkë më vëllain.”
Ahmet Ajeti po rigjykohet, në lidhje me akuzën për të cilën më herët u dënua me 20 vjet burg.