Dy personat e arrestuar të hënën për atentatin e dështuar në Elbasan kanë mohuar akuzat para grupit hetimor.
Arben Spahiu, 53 vjeç dhe Arsen Preçi, 44 vjeç, janë marrë disa herë në pyetje për mjetin BMW X6 që u sekuestrua nga policia, brenda të cilit u gjetën 3 armë zjarri, si dhe për dokumentet e falsifikuara që i përkisnin Spahiut.
Ata kanë mbajtur deklarim mohues përballë këtyre fakteve.
Spahiu, sipas burimeve ka pohuar se nuk ka dijeni për mjetin dhe armët. Ndërsa në lidhje me dokumentet e falsifikuara greke me foton e tij, ai ka thënë se mund të jenë bërë nga dikush që ka dashur t’i bëjë keq. Makina raportohet se është vjedhur në Shkodër, policia e ka ndjekur deri në Nikel dhe aty u ka humbur.
Spahiu dhe Preçi u vunë në pranga nga policia pasi dyshohet se kishin organizuar kryerjen e një atentati ndaj një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan.
Dyshja rezultojnë me lidhje familjare dhe shoqërore me Erjon Alibejn, i cili ndodhet në burg si porositës i dy vrasjeve.