Zbulohet shënjestra e atentatit të dështuar me mina me telekomandë që ishte planifikuar të kryhej në Tiranë. Ai është Preng Paluca, i cili dyshohet se ishte marrë përsipër të ekzekutohej nga Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, familjarë dhe miq në familjen e Nikoll Markut.
Por kjo nuk është hera e parë që Preng Paluca i shpëton një përpjekjeje për ta ekzekutuar. Në 7 gusht 2021 në Kamëz, bashkë me bashkëshorten e tij, Antonetën, atij i është bërë një atentat me armë zjarri pranë shtëpisë, ndërsa mbetën të plagosur.
Burrë e grua nuk deklaruan asgjë para hetuesve, duke mos dhënë detaje dhe njohuri për agresorët. Në ngjarjen e para 4 muajve, u tha se çifti mund të ishte qëlluar me silenciator, pasi nuk është dëgjuar zhurma e të shtënave.
Preng Paluca, 50 vjeç mori plumb në brinjë, ndërsa gruaja e tij në këmbë. Në momentin kur ndodhi atentati në makinë, ka qenë dhe vajza e tyre, e cila nuk pësoi asgjë.
Të arrestuarit këtë të mërkurë në kuadër të operacionit “Mataro”, janë Mark Lamkja, vjehrri i tij Nikoll Marku dhe vjehrra Marie Marku, ndërkohë që në kërkim janë shpallur Edmir Vlashi, që është dhëndri i dytë i familjes Marku dhe Hektor Ndoka.
Ky i fundit, që është shok dhe bashkëpunëtor i Edmirit, e ka ndërruar mbiemrin nga Sadiku, në Ndoka. Po ashtu edhe Edmir Marku e ka ndërruar mbiemrin për shkak të konflikteve, duke e bërë Vlashi.
Dyshohet se konfliktet mes të arrestuarve në Lezhë dhe shënjestrës së tyre në Tiranë, kanë nisur disa vite më parë në Belgjikë për shkak të prishjes së pazareve nga aktivitetet kriminale. Pas largimit nga Belgjika, filloi larja e hesapeve në atdhe me tritol dhe atentate.
Në momentin që policia ndërhyri për të goditur grupin, u sekuestruan mina me telekomandë, arsenal armësh e municionesh, drogë dhe një shumë e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale.
Konkretisht janë sekuestruar 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë. 88.900 euro, të ndara në tufa mes tyre me 500-çe të cilat sipas policisë janë të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike.
Gjithashtu u sekuestruan 2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të policisë, 2 skafandra motori dhe një makinë.