Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar 4 punonjës të Policisë së Shkodrës.
Ata akuzohen për shpërdorim detyre në lidhje me atentatin e 30 tetorit, ku mbetën të vrarë 4 persona.
Shënjestër e atentatit ishin Hamza Lici dhe Arlind Bushati të cilët po udhëtonin me të njëjtin automjet, në kohën kur u qëlluan me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje. Hamza Lici humbi jetën menjëherë në vendngjarje ndërsa Arlind Bushati ndërroi jetë disa orë më vonë në spital.
Përveç tyre në këtë atentat humbën jetën edhe dy kalimtarë rasti, bashkëshortët Flutura dhe Bashkim Basha. Ata po lëviznin me motor kur u përplasën nga automjeti me të cilin udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Njoftimi i AMP-së:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar Urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj 4 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre “pasi nuk kanë respektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.
– Inspektor B. K., dhe V.L., përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.
– Inspektor J. S., dhe M.M., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.
Urdhëri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP–së, në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., si dhe një person tjetër i paidentifikuar.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.