Aktualitet Atentati me dy të vrarë në Tiranë: Kush janë viktimat, zbardhet e...

Atentati me dy të vrarë në Tiranë: Kush janë viktimat, zbardhet e shkuara e errët

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur sot në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e “Astirit”, ndërsa kanë humbur jetën dy persona, të cilët ishin duke udhëtuar me një mjet tip “Audi”.

Ndaj dy viktimave është qëlluar nga një mjet tjetër në lëvizje.

Dëshmitarët në vendngjarje tregojnë se “Audi” me targa AB 008 EM ka qenë në lëvizje kur në drejtim të tij është qëlluar nga një tjetër mjet, që më pas u largua me shpejtësi.

Identifikohen viktimat, zbardhet e shkuara e errët

Viktimat janë Erigers Mihasi dhe Armando Dumani.

Erigers Mihasi nuk është një emër i panjohur për policinë. Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Më herët ai është arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen, plagosjen, vjedhjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.

Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut. Sipas grupit hetimor armët ishin përdorur në një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në kryeqytet, në Durrës, Sarandë dhe në Shkodër. Armët në banesën e Harokut, u gjetën pas hetimeve që efektivë të komisariatit numër 6 bënë lidhur me breshërinë e plumbave mbi kompleksin Eiffel në periferi të Tiranës më 15 qershor. Hetimet zbuluan se autorë të kësaj ngjarjeje ishin Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës: Rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “2 rrathët” në Unazë të Re, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjeti tip “Audi”. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ishin brenda në mjet.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.