Aktualitet Atentati me eksploziv/ Presidenti i Kamzës: Nuk kam borxhe dhe as konflikte

Atentati me eksploziv/ Presidenti i Kamzës: Nuk kam borxhe dhe as konflikte

Presidenti i ekipit të futbollit të Kamzës, Naim Qarri, ka qenë shënjestër e një atentati me eksploziv.

Mbrëmjen e sotme makina në pronësi të tij e markës “Hummer” ka shpërthyer ndërsa ishte në parkim. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Bathores dhe fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz.

“Më datë 21.08.2017, rreth orës 20:30, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë për një shpërthim në zonën e Bathores. Menjëherë janë nisur Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 5, të cilët kanë konstatuar automjetin e markës “Hummer”, në pronësi të shtetasit N. Q., të dëmtuar në pjesën e parme. Nga hetimet paraprake është mësuar se dëmtimi i këtij automjeti ka ardhur si pasojë e një sasie të vogël eksplozive të vendosur në pjesën e përparme të saj. Gjatë kohës së shpërthimit automjeti ka qenë i parkuar”, deklaroi policia.

I kontaktuar për Ora News pas ngjarjes, Qarri ka treguar se ishte në një objekt pranë kur ndodhi shpërthimi në mjet.

“Isha në një objekt pranë kur dëgjuam një shpërthim. Pasi dola, pashë makinën dhe njoftova policinë. Ende nuk dihet nëse është shpërthim apo është shkëndijë elektrike”.

Lidhur me shkaqet e ngjarjes, Qarri thotë se nuk ka borxhe dhe as konflikte me njeri.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.