Agron Puka, 54 vjeç, mbeti i plagosur mëngjesin e sotëm në Rrilë të Lezhës pasi u qëllua me armë zjarri. Ngjarja ndodhi pasi ai la fëmijët e tij në shkollë.
Siç raporton gazetari Martin Marku nga vendi i ngjarjes, Puka ka qenë duke udhëtuar me makinën tip “Audi” kur i është zënë pritë nga persona të paidentifikuar. Dyshimet e para janë që autorë të ngjarjes janë 4 persona, 3 prej të cilëve kanë zbritur nga një makinë dhe kanë qëlluar në drejtim të 54-vjeçarit duke e lënë të plagosur.
Atentati duket se është i mirëmenduar pasi dyshohet se autorët e kanë monitoruar 54-vjeçarin dhe sot në mëngjes pasi ka dërguar fëmijët në shkollë kanë gjetur momentin e duhur për të goditur.
Siç raporton gazetari Marku, ngjarja mund të kishte pasoja të rënda pasi ka ndodhur në afërsi të shkollës 9-vjeçare në Rrilë, në një zonë të populluar sidomos në atë orë.
“Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik te nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Marash Gjoni” në Rrilë, pasi nga të shtënat janë rrezikuar dhe ata”, raporton ai.
Deri më tani mbeten të paqarta rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë./Tv Klan