Policia e Tiranës ka arrestuar një 31-vjeçar, i cili akuzohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë.
Sipas Policisë, Skerdi Tasi, është i dyshuar si autori i atentatit ndaj biznesmenit Lulzim Masha, ngjarje e ndodhur më 18 janar të këtij viti, te Liqeni i Thatë.
Masha ishte duke kaluar në atë zonë me makinën e tij, kur në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri. Autori i dyshuar më pas u largua në këmbë nga vendi i ngjarjes. Tashmë, pas 4 muajsh, policia thotë se ka arrestuar një të dyshuar.
Kur dha dëshminë e tij në Polici, biznesmeni Masha kërkoi edhe mbrojtje nga shteti, pasi ndihej i rrezikuar.
“Në trotuar, rreth orës 9:30 minuta, një djalë i ri më ka goditur me një armë në drejtimin tim duke folur nëpër dhëmbë dhe duke qëlluar me armë në drejtimin tim. Unë kam dëgjuar të shtënat dhe jam larguar me shpejtësi edhe pak metra nga vendi ku më ka gjuajtur. Kam kontrolluar veten isha mirë nuk kisha marrë asnjë goditje dhe jam kthyer sërish te vendi ku u qëllova. Ishte një djalë i moshës 25-30 vjeç me një kapele me ngjyrë të zezë pantallona xhinse, jo shumë të errëta me pak mjekër, ezmer dhe i gjatë rreth 180 centimetra. Dua të shpjegoj që para rreth 6-7 ditësh unë kam parë te rruga, te malorja, në afërsi të shkollës ku jam administrator, një djalë me karakteristika të ngjashme që ka ndjekur me sy veprimet e mia. Edhe para Vitit të Ri, në datat 23-24 nuk më kujtohet mirë po i njëjti person ka ndjekur me sy veprimet e mia. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj problemi, por në lidhje me këtë ngjarje kërkoj mbrojtje nga shteti”, ishte dëshmia e Lulzim Mashës në polici
Hetuesit patën marrë në pyetje dhe vëllanë e biznesmenit, i cili rezulton se në vitin 1996 është dënuar për vrasje me 15 vite heqje lirie. Sipas deklarimit të tij, kishte bërë vetëm 5 muaj burg, ndërsa kishte dalë në vitin 1997 dhe ishte larguar jashtë vendit deri në parashkrimin e veprës penale.
Vëllai i Mashës ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ajo nuk ka ndodhur për shkak të së kaluarës së tij pasi vetë ai nuk ruhet nga askush.