Gjykata e Vlorës ka përfunduar gjykimin këtë të hënë ndaj 5 të akuzuarve duke i shpallur fajtorë për atentatin ndaj Inez Hajrulla, në 10 Maj të vitit 2019.
Trupa gjykues e përbërë nga Pëllumb Zaimj, Entela Gjoni dhe Adelajda Gjyzi dënoi me 35 vite burgim Daut Elmazin për akuzën e ”Vrasjes në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
35 vite burgim për Gentjan Dautaj (Zoto) për akuzën e ”Vrasjes në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.
30 vite burgim për Igli Memaj (Suloti) për akuzën e ”Vrasjes në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Për të njëjtën akuzë më 25 vite heqje lirie janë dënuar edhe Serxhio Ademi (Cima) dhe Albano Goxhaj.
Si ndodhi ngjarja 3 vite më parë?
Më 10 maj të 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal. Ai i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Autorët pasi u larguan dogjën automjetin në Babicë të Vogël.
Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë ngjarje kanë marë pjesë nëntë persona: Fatmir Hyseni, “Doqia”, Daut Elmazi, nipi i Armando Sulejmanit “Çipurit”, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Pati dyshime të forta se atentati u krye si rezultat i larjeve të hesapeve mes grupeve rivale në Vlorë.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se në shesh janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishek i pa goditur.
Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim Fatmir Hyseni, i kërkuar edhe si autor i ekzekutimit të Santiago Malkos, ngjarjes së ndodhur në bllok disa vite më parë.