Edhe Gjykata e Posaçme e Apelit e gjeti fajtor Redjan Rrajën, si një si një nga qitësit në atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja, Pëllumb Muharremit dhe shoferit të tyre Andi Maloku që mbeti i vrarë.
Ai u dënua me burgim të përjetshëm, teksa vendimi u la në fuqi edhe për bashkëpunëtorin e tij, Artjol Halilaj, i cili u dënua me 35 vite burg si personi që ka ndihmuar Rrajën në largimin nga vendi ku u braktis makina e krimit dhe krijimin e një alibie për të. Të dy të hetuarit kërkuan pafajësi përballë treshes gjykuese.
Nën hetim për atentatin e 1 Nëntorit 2019, janë edhe 9 persona të tjerë, disa të arrestuar dhe disa në kërkim, mes tyre edhe Plaurent Dervishaj, i cili konsiderohet nga Prokuroria si financuesi dhe porositësi i ngjarjes së rëndë.
SPAK i tha gjykatës se prova e fortë kundër Redjan Rrajës është një material biologjik nga i cili u përfitua profili gjenetik i tij, disa komunikime të tij të siguruara nga akt-ekspertimi i telefonit dhe komunikimet në rrjetin Sky që çuan në zbulimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.