Gjykata e Posaçme ka zgjatur, me kërkesë të SPAK, afatin e paraburgimit për personat nën hetim, Ramazan Rraja, Genti Nderjaku (alias Kili Nderjaku dhe Ekil Nderjaku), Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija, ndaj të cilëve ishte caktuar më parë masa e sigurisë “arrest me burg”.
Të pestë këta persona akuzohen si të përfshirë në atentatin që iu bë ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019.
Për ngjarjen është shpallur në kërkim edhe Plaurent Dervishaj, i cili konsiderohet nga SPAK si organizator i atentatit.
Si ndodhi atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja?
Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019, ku me breshëri automatiku u qëllua drejt automjetit me të cilin udhëtonte Arjan Ndoja, pranë mbikalimit të Shkozetit.
Nga të shtënat mbeti i vrarë Andi Maloku, shofer i ish-prokurorit.
Në makinë ndodhej edhe një person me precedentë penalë, Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.