Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për 5 të arrestuarit, të cilët akuzohen për përfshirjen në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos, i njohur si “Rumi i Shijakut”. Ata janë Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija.
SPAK bëri të ditur se atentati në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Sukthit, u organizua dhe finalizua nga 11 persona që bashkëpunuan si grup kriminal.
Në kërkim për këtë ngjarje janë shpallur 4 persona, mes tyre Plarent Dervishaj, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky i fundit është i shpallur në kërkim nga SPAK për një vrasje të ndodhur në vitin 2005. Dervishaj i ka shpëtuar pengesave pasi mes Shqipërisë dhe Emirateve nuk ka një marrëveshje dypalëshe ekstradimi.
Po ashtu në kërkim janë Julian Meçe, Ramazan Rraja nipi i deputetit të PS, Rahman Rraja dhe një person tjetër.
Në lidhje me këtë ngjarje janë arrestuar më herët Redjan Rraja dhe Arjol Halilaj. Në atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja dhe Aleksandër Lahos, mbeti i vdekur shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.