SPAK ka kërkuar, këtë të mërkurë, burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, ku u plagos prokurori dhe Aleksandër Laho (Rrumi i Shijakut) dhe u vra Andi Maloku, shoferi i Ndojit, në nëntor të vitit 2019.
Ndërkohë, për të njëjtën çështje, për Artiol Halilajn janë kërkuar 35 vite burg.
“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen. I qëndroj deklarimeve që kam dhënë gjatë hetimit, ndaj nuk dua të pyetem nga prokurori”, ka thënë Rraja.
Në deklarimet e dhëna në vitin 2019, Rraja jo vetëm që mohonte akuzën, por ngrinte dyshime për manipulim provash kundër tij.
I pyetur nga hetuesit për faktin se profili i ADN-së së tij përputhej me profilin gjenetik të përftuar në një palë syze, në doreza e në një kapuç të sekuestruar në automjetin e braktisur nga atentatorët e Ndojës, Rraja ishte përgjigjur: “Nuk kam lidhje me ngjarjen për të cilën më akuzoni. Mua më janë marrë dy herë mostrat e pështymës dhe gjurmët e gishtave në Drejtorinë e Policisë. Nuk e di si janë përdorur e çfarë është bërë me to. Në një rast më janë marrë pa avokat, edhe pse kam kërkuar praninë e tij. Po ashtu, më kanë marrë shumë rroba në makinën time pas arrestimit”.
Nga ekspertimi i telefonit të Rrajës janë gjetur të dhëna me interes për hetimin. Në komunikimet me SMS ka fjalë, që përputhen me veprimet e tyre, kode me fjalë “Benzi”, “Arjani”, “Bidoni”, “digje”. Po ashtu, në aplikacionin “health” rezulton se pasi kanë braktisur mjetin Redjan Rraja ka bërë gati 900 hapa në vetëm 7 minuta, që tregon intensitet të lëvizjes. Prova me rëndësi janë konsideruar edhe të dhënat e siguruar nga komunikimet e kriptuara të aplikacionit SKY. Në to dalin pseudonimet “Dok” për Rrajën dhe “Bisha” për Halilajn.
Ndërkohë, rezulton se telefoni i Rrajës para ngjarjes është loguar në Wirelessin e lokalit të Plaurent Dervishaj.
SPAK pretendon se Rraja ka qenë në rolin e ekzekutorit, ndërsa Halilaj në rolin e ndihmësit.