President Bajram Begaj ka reaguar për atentatin e bërë ndaj Donald Trump. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai ka dënuar sulmin, duke thënë se akte të tilla nuk kanë vend në një demokraci.
“I pikëlluar kur mësova për atentatin ndaj Presidentit Donald Trump. I uroj Presidentit Trump një shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e një jete të pafajshme. Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm dhe të gjitha format e dhunës politike, të cilat nuk kanë vend në demokraci”, shkruan Begaj.
Reagim ka pasur edhe nga kryeministri Edi Rama, që e cilësoi si një tragjedi në botën demokratike.
“Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, shkruan Rama.
Trump ka folur pas sulmit me armë duke thënë se “nuk do të dorëzohet kurrë”.
Trump u largua nga podiumi nga agjentët e Shërbimit Sekret pasi u dëgjuan të shtëna armësh. Ai u pa i gjakosur në vesh dhe fytyrë, por sipas raportimeve është në gjendje të mirë.
Një person nga publiku mbeti i vrarë dhe dy të tjerë janë në gjendje të rëndë, ndërsa atentatori u ekzekutua nga Shërbimi Sekret.