Drejtoresha e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle, thotë se do të japë dorëheqjen nga posti i saj pas atentatit ndaj Donald Trump.
Cheatle dëshmoi për gati gjashtë orë gjatë një seance të komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve të hënën, ku ajo mori përgjegjësinë për gabimet e sigurisë dhe pranoi se incidenti shënoi “dështimin më të rëndësishëm operacional të Shërbimit Sekret në dekada”.
“Misioni solemn i Shërbimit Sekret është të mburojë liderët e kombit tonë. Më 13 Korrik dështuam. Si drejtore e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, unë marr përgjegjësinë e plotë për çdo mungesë sigurie të agjencisë sonë.
Ne jemi duke bashkëpunuar plotësisht me hetimet në vazhdim. Ne duhet të mësojmë se çfarë ndodhi dhe unë do të bëj gjithçka që nevojitet që një incident si 13 Korriku të mos përsëritet më”, tha Kimberly Cheatle, drejtore e Shërbimit Sekret të SHBA.
Ligjvënësit shprehën zemërim dhe ngritën pikëpyetje se si një person i armatosur arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president, kur ai supozohej të ishte i mbrojtur.
Shërbimi Sekret ka pranuar se ka mohuar disa kërkesa të fushatës së Trump për masa shtesë sigurie në aktivitetet e tij para atentatit.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka reaguar pas vendimit për t’u dorëhequr nga detyra të Kimberly Cheatle, tashmë ish-drejtoreshë e Shërbimit Sekret. Përmes një deklarate, Presidenti Biden i shpreh mirënjohjen Cheatle për punën e saj në shërbimin publik në emër të tij dhe bashkëshortes së tij, Jill.
“Ajo është përkushtuar me vetëmohim dhe ka rrezikuar jetën e saj për të mbrojtur kombin tonë gjatë gjithë karrierës së saj në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara”, shprehet Biden.
Më tej, në reagimin e tij Biden thotë se duhet guxim i madh për të marrë përgjegjësinë e plotë për një nga punët më sfiduese në shërbimin publik.
“Duhet nder, guxim dhe integritet i jashtëzakonshëm për të marrë përgjegjësinë e plotë për një organizatë të ngarkuar me një nga punët më sfiduese në shërbimin publik”, shkruan Biden.
Presidenti shton se pret një rishikim të asaj që shkoi keq më 13 Korrik, kur një person i armatosur u përpoq të vriste Donald Trump gjatë një mitingu të këtij të fundit në Pensilvani.
Në deklaratë, Presidenti Biden thekson se së shpejti do të emërojë një drejtor të ri për Shërbimin Sekret që do të zëvendësojë Kimberly Cheatle pas vendimit të saj për t’u dorëhequr nga kjo detyrë.