Aktualitet Atentati në Don Bosko, menaxheri i lokalit: Gruaja e viktimës ishte në...

Atentati në Don Bosko, menaxheri i lokalit: Gruaja e viktimës ishte në tavolinë, 5 minuta pasi u largua erdhën atentatorët

Menaxheri i lokalit ku ndodhi masakra me një të vrarë dhe katër të plagosur në një lokal në zonën e Don Boskos në Tiranë, ka treguar për Klan News detaje të tjera lidhur me krimin e rëndë.

Sipas tij, në tavolinë ka qenë dhe bashkëshortja e viktimës dhe të plagosurve, ndërsa 5 minuta pasi u larguan, aty mbërriti një makinë Mercedes-Benz C-Class që dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku qëndronin Erion Çela, vëllai i tij Blerim Çela, daja i vëllezërve Edmond Crroj dhe miku i tyre Arben Dani.

Ndërsa 19-vjeçari Azbi Selimaj ishte i ulur në një tavolinë tjetër aty pranë dhe nuk kishte lidhje me 4 personat e sipërpërmendur.

Sipas menaxherit, nga stafi i lokalit nuk u dëmtua asnjë person. Menaxheri tregon se ambulanca mbërriti me vonesë në vendngjarje, ndërsa thekson se viktima dhe të plagosurit nuk kanë patur asnjëherë probleme në lokalin të cilin e frekuentonin shpesh.

“Unë kam qenë te lokali te lokali brenda, ka ardhur një makinë tip C-Class dhe kanë gjuajtur në drejtim të lokalit, në drejtim të tavolinës ku kanë qenë ulur personat dhe aty kanë qenë 4-5 persona. Më parë kanë qenë gratë e tyre, rreth 5 minuta më vonë kanë ikur gratë dhe kanë ardhur disa persona të tjerë që kanë gjuajtur në drejtim të atyre. Për pjesën e lokalit, nga stafi nuk është dëmtuar asnjë siç flitet që një 19-vjeçar është dëmtuar. Nga pjesa e stafit nuk është asnjë i dëmtuar.

Erdhi ambulanca, ambulanca ka kaluar rreth 20 minuta, 30 minuta gati që Ushtaraku është afër, ka ardhur pas gjysmë ore gati. Kurse trupi i pajetë ka ngelur atje për gati 1 orë, 1 orë e ca.

Tek pjesa e lokalit nuk është se kanë pasur probleme të mëparshme, nuk e di për probleme të tjera, për pjesën këtu nuk kanë pasur probleme. Në lokal nuk ka ndodhur asnjë problem, edhe neve na ka ardhur papritur. Kanë qenë klientë të përhershëm, kanë këtë tabakinon këtu”, u shpreh menaxheri i lokalit ku ndodhi ngjarja.

Nga të shtënat me armë humbi jetën Erion Çela dhe mbetën të plagosur vëllai i tij Blerim Çela, daja i tyre Edmond Crroj, Arben Dani dhe 19-vjeçari Azbi Selimaj.

Dy prej të plagosurve, Azbi Selimaj dhe Arben Dani, kanë dhënë dëshminë e tyre për grupin hetimor. Ata kanë thënë për policinë se nuk kanë mundur që të shikojnë asgjë dhe nuk i kanë vënë re atentatorët, vetëm kur janë gjendur nën breshërinë e plumbave.

46-vjeçari kishte ardhur nga Durrësi dhe është mik i viktimës, si dhe dy të plagosurve të tjerë të cilët janë vëllai dhe daja i 35-vjeçarit që humbi jetën.

Sipas grupit hetimor, dyshohet që objektiv i sulmit me armë të ketë qenë Edmond Crroj, daja i dy vëllezërve Çela, viktimës Erion dhe të plagosurit Blerim.

Hetuesit dyshojnë se autorët e kanë ndjekur prej kohësh Edmond Crrojn dhe kanë pritur momentin e duhur për ta sulmuar me armë kur të ndodhej së bashku me dy nipërit e tij.

Të 4 të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore. Dëshmia e dy prej tyre nuk ka ndihmuar shumë grupin hetimor. As në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë, çka do të thotë se autori ka qëlluar nga brenda makinës duke mos lënë prova në vendngjarje.

Do të jenë kamerat e sigurisë që pritet të ndihmojnë grupin hetimor për të zbardhur dinamikën e vrasjes dhe itinerarin e lëvizjes së atentatorëve. Këta të fundit u larguan në drejtim të Laprakës me një makinë “Mercedes-Benz C-Class” me targa të vjedhura.