Tre armë automatike u gjetën brenda makinës së djegur tip BMW që u konstatua në fshatin Likmetaj të Durrësit pranë urës së “Sulë Meres”.
Këto armë dyshohet se janë përdorur në atentatin e së dielës ku në një lokal në “Don Bosko” në kryeqytet u vra një grua dhe u plagosën 5 persona të tjerë.
Viktimë mbeti banakierja Mimoza Paja e cila është vrarë gabimisht dhe u plagosën Shehat Murati 50 vjeç, (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj 42 vjeç, Emanuel Sala 47 vjeç, Ermir Bejuku 45 vjeç dhe Genc Shohalli 55 vjeç.
Njoftimi i Policisë së Durrësit:
Rreth orës 08:00, në vendin e quajtur “Ura e Sulë Meres”, në territorin e fshatit Likmetaj, shërbimet e Policisë të Stacionit të Policisë Manzë, duke ushtruar kontroll në territor, për kapjen e autorëve të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Ananstas Shundi”, Don Bosko, Tiranë, kanë konstatuar të djegur plotësisht, një automjet tip “BMW”, brenda të cilit janë gjetur 3 armë zjarri automatike.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ky automjet është përdorur për kryerjen e ngjarjes së mbrëmshme, në rrugën “Ananstas Shundi”, Don Bosko, Tiranë.
Grupi i posaçëm hetimor i ngritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve, vijon punën në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Policisë Shkencore, për të dokumentuar lidhjen e automjetit të djegur, me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Tiranë.