Aktualitet Atentati në Durrës, dëshmon kunati i Lul Berishës: Na zunë në befasi

Atentati në Durrës, dëshmon kunati i Lul Berishës: Na zunë në befasi

Njëri nga të plagosurit në atentatin e së enjtes në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, Plarent Dervishaj ka marrë mjekimin dhe është larguar nga spitali. Kurse miku i tij është në gjendje më të rëndë. Policia ka siguruar dëshminë e shënjestrave që u qëlluan me breshëri kallashnikovi.

Kunati i Lul Berishës dhe miku i tij e kishin nënvleftësuar rrezikun. Ata kishin parë një makinë të dyshimtë por megjithatë nuk i ishin shmangur.

Na zunë në befasi, kanë dëshmuar Plarent Dervishi dhe Julian Meçe të cilët u qëlluan me breshëri kallashnikovi nga dy atentatorë.

Pjesa e parme e makinës së tyre ishte e blinduar dhe kjo me gjasa u shpëtoi dhe jetën. Plumbat në trup ata i morën nga atentatori që shtiu nga pas.

Kunati i Lul Berishës, Plarent Dervishaj pas mjekimit e la spitalin, kurse i plagosuri tjetër ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve në Tiranë.

Ngjarja dyshohet si larje hesapesh për hasmëri të vjetra si dhe implikimi në trafik të lëndëve narkotike.

Për të hedhur dritë mbi motivet e mundshme apo mbi mënyrën se si ndodhi policia ka siguruar dëshminë e të plagosurve por pa dhënë shumë detaje.

Atentati u realizua kur Dervishaj dhe Meçaj lanë autostradën Tiranë-Durrës dhe hynë në rrugën e mbikalimit të Shkozetit.