Aktualitet Atentati në Elbasan, lidhja me vrasjen e Everest Çakajt dhe miqësia me...

Atentati në Elbasan, lidhja me vrasjen e Everest Çakajt dhe miqësia me Talo Çelën

Dy persona janë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Elbasan. Lulzim Bitri, 35 vjeç mbeti i vdekur në vend, ndërsa Ardian Çollaku ka pësuar vdekje klinike si pasojë e plumbave që morën mbi trupat e tyre.

Atentati

Këta dy persona kanë qenë viktima të një atentati të mirëorganizuar në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Luleve” në Bradashesh, pranë një karburanti. Çollaku bashkë me Bitrin, kanë qenë duke lëvizur në këmbë, në momentin që janë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje. Automjeti, tip ‘Volvo’ i përdorur nga autorët u gjet i djegur disa minuta më pas në fshatin Balldre, një skemë kjo e njohur edhe në vrasje të tjera.

Me precedentë kriminalë

Të dy personat e ekzekutuar, si Bitri dhe Çollaku, kanë qenë persona me precedentë të mëparshëm penal. Ardian Çollaku, i njohur edhe si Ardian Subashi, në vitin 2015 është arrestuar në Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, që e kishin dënuar atë me mbi 23 vjet burg për “Shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Mbetet e paqartë nëse ai u ekstradua apo jo drejt Italisë, pavarësisht se ekziston një vendim për dënimin e tij.

Ndërkohë Çollaku ka qenë edhe subjekt i OFL, ku vitin e kaluar së bashku me 3 persona të tjerë iu kërkua deklarimi i pasurisë. Ardian Çollaku (Subashi) është hetuar për vrasjen e Everest Çakajt, ngjarja që ndodhi më 11 Maj të këtij viti, në të cilën dyshohet se ka pasur lidhje direkte.

Nga hetimet ka rezultuar që pas dënimit në Itali, Çollaku vidhte automjete dhe ua shiste grupeve kriminale për të kryer vrasje. Po kështu dyshohet se ka bashkëpunuar dhe me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në “Masakrën e Bradasheshit” në vitin 2018.

Nga ana tjetër, viktima tjetër Lulzim Bitri rezulton lidhje e fortë e Talo Çelës, një nga miqtë më të afërt të tij. Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.

Lulzim Bitri u arrestua në vitin 2018, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim të një personi në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Vrasja ndodhi pas përplasjes mes dy grupeve kriminale, ndërsa nuk dihet ende se në çfarë rrethanash Bitri la qelinë.

Pistat

Ka dyshime se vrasja e dyfishtë mund të ketë ndodhur për larje hesapesh, por hetimet vijojnë ende. Do të jenë kamerat e sigurisë së karburantit që pritet të zbardhin më shumë detaje si ndodhi ngjarja, ndërsa policia ka ngritur postblloqe në hyrje dhe në dalje të qytetit për të kapur autorët, të cilët mbeten ende të paidentifikuar.