Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha janë identitetet e dy viktimave të tjerë nga atentati i ndodhur mesditën e së dielës në mbikalimin në Fushë-Krujë.
Brilanti ishte djalë xhaxhai i Ervis Martinajt, person i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në lidhje me operacionin “Plumbi i Artë”, i cili u realizua pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.
Kjo e impikonte Ervis Martinajn për dhënien e porosisë për një vrasje me pagesë.
Brilant Martinaj ka qenë i skeduar nga policia në lidhje ngjarjen e ndodhur dy vite më parë ku humbi jetën efektivi i policisë, Xhuliano Prela.
Viktima e tretë është identifikuar si Diklen Vata. Të tre mbetën të vdekur pasi në drejtim të automjetit tip “Golf” me të cilën udhëtonin, u qëllua me 60 plumba.
Për shkak të plumbave të shumta, automjeti i tyre u përfshi nga flakët dhe u shkrumbua.
Ata janë dërguar fillimisht në spital, por nuk kanë mundur që t’i mbijetojnë plagëve të marra.
Ndërsa, në fshatin Aramenas është gjetur një tjetër automjet i djegur dhe dyshohet se i përket autorëve të atentatit.