Tre persona janë shoqëruar nga policia në lidhje me atentatin mafioz në Larushk të Fushë-Krujës ku u vra në person dhe u plagosën dy fëmijë.
Sipas policisë, janë kontrolluar 3 banesa dhe janë shoqëruar 3 persona të cilët dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Nga breshëria e armëve në drejtim të banesës së Gentiann Bejtjas u vra kunati i tij Ramazan Sino 29 vjeç si dhe u plagosën 2 fëmijët e mitur të Gentianit, 13 dhe 10 vjeç.
Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë pikërisht Gentian Bejtja, i cili u ka shpëtuar 3 atentateve të organizuara ndaj tij.
NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmë, për ngjarjen e ndodhur në oborrin e banesës së shtetasit G. B., ju bëjmë me dije se:
Ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasi R. S., 29 vjeç, si dhe janë plagosur dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, dy të mitur të moshës 13 dhe 10 vjeç, (nipat e shtetasit R. S).
Me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar, shërbimet e Policisë kanë ushtruar 3 kontrolle në 3 banesa si dhe kanë shoqëruar 3 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Në përfundim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen, do të ketë një njoftim për shtyp në vijim.