Aktualitet Atentati në Kurbin/ Biznesmeni Gjeloshi monitorohej me dron spiun, autorët ishin veshur...

Atentati në Kurbin/ Biznesmeni Gjeloshi monitorohej me dron spiun, autorët ishin veshur si policë me makina Range Rover

Detaje të reja kanë dalë nga plagosja e biznesmenit Ardjan Gjeloshit, mëngjesin e së shtunës në Gurëz të Kurbinit. Burime nga grupi hetimor për bëjnë me dije se ndaj Gjeloshit kanë qëlluar 3 persona, ndërsa në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë 7 persona.

Korrespondenti i Klan News, Martin Marku raporton se sipas burimeve, është bërë me dije se Gjeloshi ishte nën monitorim prej disa ditësh me dron spiun. Autorët bëhet me dije se janë paraqitur në kompani me mjete Range Rover, të cilët ishin të kamufluar si policë. Fatkeqësisht nga breshëria e plumbave që ranë mbi zyrën e Ardjan Gjeloshit, humbi jetën ekonomisti i kompanisë, Selman Mihana 70 vjeç.

Ekspertët e policisë kanë marrë në pyetje 51-vjeçarin, i cili ka pohuar se nuk ka konflikte me asnjë. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se janë gjetur 2 nga mjetet e djegura në Fushë-Milot.

Policia po heton dhe është e fokusuar në tre pista kryesore për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë në Gurëz të Kurbinit. Pista e parë ku janë përqendruar hetimet ka të bëjë me konfliktet në lidhje me biznesin me pjesëtarë të një fisi nga fshati Pllanë i Lezhës.

Por policia nuk ka përjashtuar edhe pistën e hakmarrjes pasi në vitin 2002 Ardian Gjeloshi dhe vëllai i tij, Dritan Gjeloshi qëlluan mbi një kamionçinë dhe lanë të vrarë Marie Prengën, infermiere, nënën e 4 fëmijëve, ndërsa u plagosën oficeri i FNSH, Kastriot Prenga dhe Gjergj e Vitore Prenga.

Ndërsa një tjetër çështje ku po fokusohen hetimet është edhe plagosja e djalit të Ardian Gjeloshit. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit dhe hetimet vijojnë ndërsa autorët ende mbeten në kërkim./Tv Klan