Tre viktima dhe një i plagosur është bilanci i vrasjes së ndodhur pak pas mesnate në Memaliaj. Si pasojë e të shtënave, të vdekur në vend mbetën Shyqo Kalemi, Gledio Muka dhe Marsel Çela. Kurse i plagosur mbeti vëllai i Shyqo Kalemit, Artur Kalemi.
Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar deri më tani disa persona ndërsa policia gjeti një automjet tip “BMW” të djegur në fshatin Bejaj të Mallakastrës.
Dyshohet se në automjet ndodheshin tre persona. Një prej tyre, zbriti dhe hapi zjarr me breshëri në drejtim të 74-vjeçarit Shyqo Kalemi. Por, nga plumbat mbetën të vrarë edhe një klient dhe një kamarier 33 vjeç.
Shkak për vrasjen dyshohet të jetë hakmarrja për prishje të pazareve të drogës.
Shyqyri Kalemi është babai i Andrea (Adriatik) Kalemi, një person i njohur për drejtësinë. Ai u ka shpëtuar tre herë atentateve.
Saga e vrasjeve ka nisur në vitin 2020 kur u ekzekutua me anë të një bombe në makinë, Aleksandër Sadikaj, kushëri i familjes Kalemi. Më pas në Tiranë u ekzekutua Edmond Papa.
Dhe, për ngjarjen akuzohen zyrtarisht dy persona, të afërm të familjes Kalemi, dhe shokë të Sadikajt.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e Artur Kalemit duket e stabilizuar. Ai ndodhet në reanimacionin e Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, nën mbikëqyrjen e mjekëve kirurgë.