Makina e Sokol Kajoshit, baba i boksierit Ajon Kajoshi dhe Arlindit i shpallur në kërkim për plagosje ishte objektivi i të shtënave me armë zjarri që u regjistruan mesditën e së shtunës në lagjen “Rus” në Shkodër.
Bëhet fjalë për një automjet “Land Rover” të bardhë i cili u qëllua në lëvizje në pjesën e pasme, por që fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.
Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje për rrahjen e 62-vjeçarit Vladimir Bruçi në fillim të muajit qershor. Në mesin e 5 personave që u shpallën në kërkim ishte edhe Arlind Kajoshi, djali i Sokol Kajoshit.
Policia e Shkodrës tha se mjeti është në pronësi të Sokol Kajoshit, por dyshohet se në brendësi të tij ishin djemtë, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim dhe që pas të shtënave u largua me vrap.
Për ngjarjen e fillim qershorit në pranga përfundoi Edmond Sakicaj, ndërsa u shpallën në kërkim Izmir Sakicaj, Samet Halluni, Arlind Kajoshi, Samuel Troshani dhe Alban Bruçi.
Bruçi sipas policisë nuk ka qenë me babain e tij 62-vjeçarin Vladimir Bruçi kur të rinjtë e rrahën dhe e lanë të plagosur për një vendparkim.
Ai u shpall në kërkim sepse nuk tregoi ngjarjen, ndërsa dyshohet se është autor i atentatit të sotëm ndaj fëmijëve të familjes Kajoshi si shenjë hakmarrje për babain e tij.