Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e 22-vjeçarit Gëzim Sinomati në Vlorë.
I riu është qëlluar për vdekje me një plumb në kokë. Autorët që dyshohet se kanë qenë më shumë se një, janë organizuar në detaje që pas ekzekutimit të fshehin çdo gjurmë të krimit.
Ata kanë pritur në errësirë totale, pasi në lagjen kur ndodhi ngjarja në atë orë nuk kishte energji elektrike, për ta qëlluar më pas Sinomatin me snajper nga ballkoni i katit të tretë të banesës së tij.
I riu raportohet se kishte dalë në ballkon, ku edhe është qëlluar për vdekje me snajper.
Autorët mësohet se pasi kanë ekzekutuar 23-vjeçarin kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, ku i kanë vendosur flakën dhe janë larguar duke përfituar nga errësira
Policia ka shoqëruar 10 persona që dyshohet se janë përfshirë në atentatin mafioz.
Kush është Gëzim Sinomati?
Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit i njohur si ‘buzëderri’, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë, i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000. Ndërsa 2 vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, xhaxhait të viktimës, Bernardo Sinomatit i vunë 150 gram lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku mbrëmjen e sotme iu ekzekutua nipi 23 vjeçar.
Njoftimi i Policisë:
Forcat Shqiponja, Operacionale, Delta, e Forcat Kombëtare të Sigurisë janë në ndjekje të autorëve, të ngjarjes ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi G. S., 23 vjeç. Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira. Është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli. Në mbështetje dhe Forcat Renea për kontrollin e zonës ku dyshohet se janë larguar autorët. Ndërkohë Grupi i Posaçëm hetimor i ngritur për këtë ngjarje po vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë për sekuestrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes së rrethanave të ngjarjes dhe identifikimit të autorëve.