Forcat e rendit kanë gjendur në aksin nacional Vlorë-Fier, në lokalitetin Cerkovinë, mjetin tip Benz i përdorur nga autorët e atentatit ndaj Roland dhe Nikolaq Çepaj në Vlorë, pasditen e sotme.
Ndërkohë, policia ka arritur të bëjë falë dëshmive të dëshmitarëve okularë në vendngjarje një identikit fillestar të autorit. Sipas tyre, personi që ka shtënë nga brenda automjetit ishte i maskuar, por kishte mjekër dhe përdorte kapele.
Si pasojë e atentatit në një lokal në Vlorë, ku janë qëlluar me kallashnikov, dy të plagosurit ndodhen ende në spital. Nikollaq Çepaj është në gjendje të rëndë si pasojë e një plage të marrë në kokë dhe disa plumba në trup. Ndërkohë, Roland Çepaj, prezanton gjendje shëndetësore të stabilizuar.