Komiteti Ndërkombëtar Paralimpik ka përjashtuar atletët rusë dhe bjellorusë nga Lojërat Dimërore Paralimpike të Pekinit 2022, të cilat fillojnë të premten. Nga ky vendim, do të preken 83 atletë nga të dyja vendet.
“Ne besojmë shumë se sporti dhe politika nuk duhet të përzihen. Megjithatë, lufta tani ka ardhur në këto Lojëra dhe prapa skenave shumë qeveri po ndikojnë në ngjarjen tonë të dashur”, tha Presidenti i IPC Andrew Parsons në një deklaratë.
Ishte gjithashtu një çështje sigurie me situatën në fshatin e sportistëve, ndërsa tensionet përshkallëzohen, tha ai.
Sipas tij, komitetet Paralimpike nga shumë vende kishin kërcënuar se nuk do të konkurronin, nëse atletët rusë dhe bjellorusë do të merrnin pjesë.
“Kombet ka të ngjarë të tërhiqen dhe ne nuk do të kemi një lojë të qëndrueshme”, vijoi ai.
“Për atletët nga vendet e prekura, na vjen shumë keq që jeni prekur nga vendimet që qeveritë tuaja morën javën e kaluar, për shkeljen e armëpushimit olimpik. Ju jeni viktima të veprimeve të qeverive tuaja”, tha ai.
Vendimi vjen më pak se një ditë pasi IPC fillimisht i lejoi atletët nga të dyja vendet të garonin si neutralë nën flamurin Paralimpik dhe himnin Paralimpik.