Kompozitori Aulon Naçi është drejtori i ri i komanduar i Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Emërimi i tij vjen pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale bëri me dije emrin e drejtuesit të ri si dhe falenderoi kryeministrin Rama për besimin që i dha në 28 muaj punë në TKOB.
“Rrugëtimi i këtyre 28 muajve u kurorëzua me sukses falë ekipit, përmes mbi 600 veprave dhe shfaqjeve, për të cilat foli vetë publiku me praninë e tij të jashtëzakonshme”, shkruan Voshtina.
Me tej, ish-drejtoresha e Përgjithshme e TKOBAP ka renditur statistikat mbi mbarëvajtjen e punës në këtë institucion të artit e kulturës ku viti 2024 u mbyll me 25% më shumë publik të ri në krahasim me vitin 2023; 38% rritje e të ardhurave në buxhetin e TKOBAP-së; rreth 700 orë “Edukim përmes artit”, me 141 orë trajnime dhe 36 shfaqje të realizuara nga artistët e rinj vetëm në vitin 2024, duke u dyfishuar krahasuar me vitin paraardhës; 74 aktivitete kulturore ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri, në bashkëpunim me partnerë të huaj vetëm këtë vit; 20 bashkëpunime të tjera që e treguan Shqipërinë në skenën ndërkombëtare, duke pesëfishuar shifrat krahasuar me vitin paraardhës; 43 premiera, të cilat ishin pluhurosur në sirtarët e arkivës, të pasuara nga 118 rivënie të tjera.
“Teatri është një motor që nuk ndalet dhe jam mirënjohëse për rrugëtimin që pata deri më sot në këtë pozicion. Rrugëtimi im do të vijojë me projekte të reja dhe pa dyshim do të shihemi sërish se Arti s’vdes kurrë”, përfundon mesazhin e saj Abigeila Voshtina.