I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili, profesori Aurel Plasari komentoi edhe deklarata dhe njollosja që i bëhet nga eksponentë të caktuar figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Plasari tha se bërja pis e kësaj figure i shërben destabilizimit dhe shpërbërjes së shtetit shqiptar.
“I shërben destabilizimit dhe shpërbërjes së shtetit shqiptar. Ne themi që flamuri që kemi është i Kastriotëve. Është në të vërtetë i Skënderbeut. Ne kemi të dhëna që flamuri i Kastriotit ishte pak ndryshe. Si u bë flamur kombëtar? U bë falë Faik Konicës i cili thotë se ky duhet të jetë flamuri kombëtar i shqiptarëve. Pra flamurin kombëtar e kemi prej Konicës dhe prej Kastriotëve. Pra me njollosjen e kësaj figure kërkohen t’i hiqen bazat e konstituimit të shtetit shqiptar”, tha Plasari.
Aurel Plasari u shpreh debati për Skënderbeun ka nisur që herët dhe përmes sajesave është tentuar që historisë së Skënderbeut t’i veshin një realitet të rremë.
Sipas tij trillimet prodhohen për të ushqyer një opinion të caktuar në publik.
“Ky debat është i vjetër dhe ka nisur në një organ shtypi në 1904. Pra është sajuar duke i veshur historisë së Skënderbeut realitet të rremë që nuk kanë të bëjnë me të. Pra këto trillime kanë ardhur duke u shtuar dhe prodhohen për të ushqyer një opinion të caktuar në publik. Pra ky opinion ushqehet me këtë koracë. Një nga trillimet e fundit ishte që ka luftuar për Venedikun? Jo nuk ka luftuar. Zotërimet e Venedikut e pengonin Skënderbeun. Ka dokumente se Venediku ka paguar për ta vrarë Skënderbeun. Pra si mund të guxojë një lapanjos të thotë se ky ka luftuar për Venedikun. Venediku ka qenë në traktat paqeje me Sulltanin. Injoranca është në nivele të larta me këto trillime. Ky është sekreti i falsifikatorëve. Pra kur ke një pjesë të vërtetë. Por këta nuk kanë asnjë të vërtetë që të mund të falsifikojnë”- tha Plasari.