Studiuesi Auron Tare thotë se “përçarja” për festimin e datës së çlirimit mes datës 28 dhe 29 nëntor është “absurd shqiptar”. Tare gjatë emisionit “Now” në Euronews Albania tha gjithashtu se shpesh nuk bëhet një dallim mes partizanëve dhe komunistëve që erdhën në pushtet pas çlirimit.
“Kanë ardhur në pushtet me ndihmën e britanikëve dhe amerikanëve. Ata i sollën në pushtet. I hodhën flori, rroba, municione me qindra avionë. Enveri me armët e tyre erdhi në pushtet. Nuk janë ata (partizanët) përgjegjës për atë çfarë u bë më vonë në Shqipëri. Nuk janë ata që sollën komunizmin. Ata që luftuan dhe u vranë nuk ishin komunistë, vetëm shumë pak ishin. Katër gjyshërit e mi shkuan në mal, por nuk ka qenë komunist asnjëri. Shkuan se menduan të luftonin për çlirimin e vendit”, tha ai.
Sipas Auron Tares, mungon seriozitetin në trajtimin e kësaj çështjeje si dhe me nderimin e të rënëve në luftë. Ai tha se “mjaftohet me një ceremoni vetëm për t’u transmetuar në televizione” dhe nga ana tjetër shtoi se nuk ka asnjë kujdes për varrezat e dëshmorëve.
Tare tha se ata që luftuan i bënë një nder të madh vendit pasi ruajtën integritetin territorial. “Unë kam botuar dokumente të Churchill-it, i cili i kishte premtuar Greqisë, Shqipërinë e Jugut nëse Greqia do të merrte pjesë në luftë me aleancën”.
Studiuesi thotë se duhen bërë disa dallime duke theksuar se pavarësisht se Enver Hoxha i bëri një nder vendit gjatë luftës, nuk mund të thuhet se ai e donte Shqipërinë më shumë se Mit’hat Frashëri, por ky i fundit u rreshtua në anën e gabuar.