Nga një kërkesë për të luajtur një turne tenisi, pjesëmarrja e Novak Djokoviç në Australian Open po shndërrohet çdo orë e më shumë në një çështje ndërkombëtare, ku po ndahen politika dhe opinioni publik.
Kampioni serb nuk do të mund të mbrojë titullin e fituar, vitin e kaluar, në Australi, të nëntin e karrierës.
Lajmi që tenisti kishte marrë një leje speciale nga autoritetet shëndetësore australiane për të marrë pjesë në turne bëri xhiron e botës dhe shkaktoi polemika, sepse Australia është një nga vendet me politikat më strikte kundër pandemisë, dhe u duk se trajtimi favorizues ndaj serbit që nuk është i vaksinuar, ishte i padrejtë ndaj të tjerëve.
Po në orët e fundit çështja ka marrë një drejtim pothuajse të kundërt, me ndërhyrjen e kryeministrit të atij vendi, Scott Morrison. I shtyrë nga opinioni publik australian, ai deklaroi dje se Djokoviç duhet të sqaronte mirë arsyet se pse kërkonte lejen speciale, që jepet vetëm në disa raste të veçanta, si sëmundje të rënda ose reaksione ndaj vaksinave.
Pak orë më vonë, tenisti që ndërkohë kishte mbërritur në aeroportin e Melburnit u bllokua nga autoritetet me orë të tëra, dhe shpjegimet e tij nuk i bindën, aq sa viza e tij u refuzua.
Mediat australiane raportuan se ekipi i Djokoviçit kishte aplikuar për llojin e gabuar të vizës për një person me autorizim mjekësor. Avokatët e Djokoviçit pritet të apelojnë vendimin, i cili erdhi pasi ai kishte kaluar më shumë se tetë orë në aeroportin e Melburnit, duke pritur për të mësuar nëse do të lejohej të hynte në vend.
Këtu çështja u zmadhua edhe më shumë, sepse siç ndodh me çdo të huaj të cilit i refuzohet viza, edhe Djokovic u transferua në një hotel në pritje të rikthimit në vendlindje. Normalisht, jo një hotel me 5 yje siç është mësuar ai, por një strukturë ku mbahen të gjithë të huajt me të njëjtin fat, ku muajt e kaluar ka pasur vatra të COVID-19 dhe zjarrvënie.
Jashtë strukturës u mblodhën dhjetëra mbështetës të Djokovic, më së shumti me origjinë serbe, që e cilësonin si një turp ndërkombëtar për Australinë, trajtimin e sportistit të njohur.
Nga Beogradi, reagoi edhe presidenti Aleksander Vucic, që e cilësoi Djokovic si viktimë dhe shtoi se e gjithë Serbia ishte me të, ndërkohë që Morrison u përgjigj duke nënvizuar se kjo nuk kishte të bënte me Serbinë.
Ndërkohë, çështja ka marrë dimensione edhe më të mëdha, sepse me dashje ose jo, Djokovic është shndërruar në heroin no-vax që refuzuesit e vaksinës prisnin prej kohësh. Rrjetet sociale janë të mbushura me mesazhe që e mbështesin, dhe kërkesa për bojkote të produkteve australiane, por ndërkohë pjesa më e madhe e komentuesve janë rreshtuar pro autoriteteve australiane, ndërsa theksojnë se ligjet janë ligje dhe duhen respektuar nga të gjithë, pavarësisht sesa i famshëm je.