Australia nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, për herë të parë që prej 9 qershorit.
Shteti i Viktorias, qendra e valës së dytë të koronvirusit në Australi, regjistroi 0 raste të reja dy ditë radhazi pas një izolimi 112 ditor.
Autoritetet shëndetësore njoftuan se masat mund të lehtësohen në ditët në vijim.
“Një falenderim të madh për të gjithë punonjësit e mrekullueshëm të shëndetësisë dhe mbi të gjitha për qytetarët e Australisë”, shkruajti Ministri australian i Shëndetësisë në Twitter.
Që prej fillimit të pandemisë Australia ka shënuar 27,000 raste dhe 900 viktima prej COVID-19, një shifër shumë herë më e vogël se në vende të tjera të botës.
Australia, me një popullsi prej 25 milionë banorësh, përdori testimet masive dhe gjurmimin e kontakteve për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Shteti i Viktorias vendosi një ndër izolimet më të rrepta në botë.