E ndjekin Franca, Danimarka dhe Çekia, në pritje Italia dhe Spanja
Sapo Europa nisi të shohë rënie të kurbës së infektimeve apo të viktimave nga koronavirusi janë të shumta vendet që po flasin për strategji të daljes nga kriza. Austria ishte e para që zyrtarizoi disa afate për rihapjen e ekonomisë. Pas pashkëve në këtë vend do të lejohet hapja e dyqaneve të vogla.
Nga 1 maji do të lejohen edhe qendrat tregtare dhe parukeritë ndërsa hotelet dhe restorantet janë parashikuar të rifillojnë punën pas mesit të majit, por me masa të shtuara sigurie. Ky vend do ta zhvillojë maturën shtetërore në qershor ndërsa shkollat do të hapen për fëmijët prindërit e të cilëve u duhet të punojnë. Por kancelari Sebastian Kurz tha se gjithçka do të varet nga tendenca e infektimit deri për pashkë.
Franca do lejojë hapjen e disa dyqaneve javën që vjen. Kryeministri Eduard Filipe tha se “gjithsesi nuk bëhet fjalë për një lëvizje kudo dhe për të gjithë”, por tmerrësisht komplekse.
Danimarka gjithashtu njoftoi se do të bëjë të njëjtën gjë pas Pashkëve. Por kryeministrja Mette Frederikson deklaroi se në rast të rritjes së rasteve me koronavirus masat kufizuese do të rikthehen.
Edhe Çekia ka nisur lejimin e disa aktiviteteve dhe hapjen e disa dyqaneve.
Italia dhe Spanja dy vendet më të goditura në Europë nga pandemia kanë njoftuar se do të marrin vendimet për daljen nga mbyllja, pas festës së Pashkëve. Ministri italian i shëndetësisë, Roberto Speranza tha se bllokimi i vendit mund të shkojë përtej 13 prillit, por shtoi se “tashmë detyra e gjithsecilit është gjetja e një mënyre për të jetuar me virusin” derisa të zbulohet një vaksinë.
Të njëjtin qëndrim po mban edhe Spanja. Qeveria e Madridit tha se “aktualisht po përgatiten për uljen e pandemisë dhe se po studiohet dalja prej saj”.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara janë aktualisht në krye të vendeve për përhapjen e koronavirusit, presidenti Donald Tramp u dha shpresë amerikanëve se do të rikthehen në jetën e përditshme më shpejt nga sa e mendojnë.