Dy shtetet ballkanike Mali i Zi dhe Shqipëria mund të jenë anëtarët e parë të rinj të BE-së nga rajoni i Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030.
Është qeveria austriake nëpërmjet ministres për Çështje Europiane Karoline Edtstadler që jep për herë të parë afate kohore për Podgoricën dhe Tiranën.
“BE-ja duhet të pranojë Malin e Zi dhe Shqipërinë si shtete anëtare deri në vitin 2030, me Komisionin Europian që inkurajon kandidatët e tjerë përmes ‘zgjerimit gradual’. Unë mendoj se do të ketë 29 anëtarë të BE-së deri në vitin 2030, me Malin e Zi që do të anëtarësohet në 2028 dhe Shqipëria në 2030. Unë e kam konstatuar personalisht gjatë vizitave që realizova atje në muajin prill se sa të angazhuara dhe ambicioze janë këto shtete në procesin e zgjerimit. Ne mund të kemi frenim të nacionalizmit në rritje në vendet kandidate veçanërisht në Ballkanin Perëndimor nëse nuk japim stimuj dhe kjo duhet të bëhet përmes integrimit gradual”.
Zgjerimi gradual nënkupton që vendeve që kërkojnë pranimin në BE t’u ofrohen përfitime të pjesshme të anëtarësimit pasi ato të përmbushin kushte specifike, në vend të qasjes gjithçka ose asgjë.
“Jam plotësisht e bindur se ky koncept i integrimit gradual do të miratohet nga komisioni i ardhshëm europian, sepse nuk ka alternativë tjetër veç procesit të anëtarësimit. Një stimul tjetër do të ishte ftesa për takimet në Bruksel, gjë që do t’u mundësonte politikanëve të tyre të informojnë qytetarët për procesin. Për shembull, kur një grup kapitujsh është i shqyrtuar plotësisht, por ende nuk është realizuar integrimi i plotë BE-ja mund të lejojë për shtetet ballkanike në pararojë të procesit të integrimit si Mali i Zi e Shqipëria aksesin për pagesat e unifikuara ndërmjet bankave. Kjo do t’u jepte atyre ndjenjën e besimit në rrugën përpara”.
Zgjerimi gradual është propozuar gjithashtu edhe nga Komisioneri i ardhshëm Evropian i Lituanisë, ish kryeministri Andrius Kubilius.