Austria, një nga shtetet e Bashkimit Europian që mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, ka ripërsëritur qëndrimin e saj.
Gjatë një vizite zyrtare në Tiranë, ministri i Jashtëm austriak Schallenberg është shprehur se Austria kërkon që të jepet drita jeshile për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne duam të jepet drita e gjelbër për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave. Ne kemi paraqitur kushte të cilat janë plotësuar dhe tani e kemi ne në Bruksel të japim mendimin tonë. Ne jemi përpara diskutimeve të vështira. Nuk ka ende unanimitet në këshill, por miqtë tanë shqiptarë mund të mbështeten tek ne dhe ne kemi një qëndrim të fortë në këshill. Është detyrë e vështirë që Shqipëria do të marrë Presidencën e OSBE në fund të këtij viti. Është detyrë e lodhshme dhe i uroj sukses, por edhe këtu mund të mbështeteni tek ne, ne do t’ju mbështesim në të gjitha mënyrat. Ne do të mbetemi partnerë të fortë të Shqipërisë”, tha ministri i Jashtëm Austrisë.
I pyetur nëse i trembej një vote kundër të Holandës, ministri i Jashtëm në detyrë, Genc Cakaj Cakaj tha se po punonte për të kundërtën.
“Para se të druhem për votat kundër të secilit vend anëtar, mund të konfirmoj se jemi në një përpjekje intensive për të siguruar vota pro. Ndaj unë nuk kam frikë nga votat kundër, por jam i angazhuar maksimalisht për votat pro”, tha ministri Cakaj.