I veshur me uniformë policie dhe me maskë në fytyrë, atentatori i Edison Begajt i afrohet këtij të fundit me qetësi dhe shkëmben disa fjalë me të përpara se të hapë zjarr ndaj tij.
Pamjet i përkasin atentatit të ndodhur orët e vona të së shtunës në Kaninë të Vlorës, ku mbeti i plagosur me katër plumba në këmbë 38-vjeçari Edison Begaj.
Ora shënon 23:21. Begaj duket se sapo ka parkuar makinën, ndërsa në automjet me të ndodhen edhe dy djemtë e mitur. Pak çaste më vonë, 38-vjeçari del nga makina dhe mund të shihet duket ecur ndërkohë që merret me telefonin.
Në këtë moment, nga pas makinës, në mes të errësirës shfaqet autori. Ai afrohet dhe po ashtu edhe Begaj. Pasi bisedojnë për pak sekonda, autori hap zjarr. E gjithë skena ndodh para syve të dy të miturve.
Edison Begaj shkoi i plagosur në spital, e pavarësisht plumbave ai arriti t’i mbijetonte atentatit.
Pista kryesore për këtë ngjarje mbetet ajo e konflikteve të 38-vjeçarit për shkak të aktivitetit të tij kriminal. Vetë Begaj në dëshminë e parë të dhënë para hetuesve ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj dyshimi mbi autorin apo autorët e kësaj ngjarjeje.
Edison Begaj është një personazh i njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare.
Ai ka qenë arrestuar më 20 shkurt të vitit 2008, në kuadër të një operacioni të gjerë antidrogë ku u sekuestruan edhe 284 kilogram hashash dhe një arsenal armësh zjarri, si automatik e granata.
Lidhur me këtë operacion Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar atë përfundimisht me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.
Po ashtu edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuana. Ndërkohë më 18 maj të vitit të shkuar OFL i dërgoi Edison Begajt kërkesën me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë së tij.