Autoriteti i Konkurrencës vendosi të premten të hapë një hetim të thelluar ndaj kompanisë Vodafone Albania, bazuar mbi dyshimet për abuzim me pozitën dominuese në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.
Në janar të këtij viti, nisur nga një ankesë e depozituar pranë këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencës hapi procedurën e hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania, me qëllim verifikimin fillestar të pretendimeve të ngritura nga kompania Neofone.
Referuar analizës së konkurrencës në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtar, sipas Komisionit të Konkurrencës, ka rezultuar se Vodafone mund të ketë zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania. Tregu i terminimit nënkupton tarifat që operatorët i paguajnë njeri-tjetrit për kryerjen e thirrjeve drejt rrjeteve respektive.
Shkak për hapjen e procedurës hetimore është bërë një ankesë e paraqitur në këtë institucion vitin e kaluar nga shoqëria Neofone, një operator i autorizuar nga AKEP për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve nga rrjetet fikse.
Konflikti mes Neofone dhe Vodafone Albania e ka zanafillën në vitin 2015, kur Vodafone rriti tarifën për terminimin e thirrjeve ndërkombëtare të tranzituara nga operatori Neofone nga 6.2 lekë për minutë në vlerën 29.8 lekë për minutë. Pasi Neofone kundërshtoi tarifën e re, Vodafone ndërpreu aksesin në shërbimin që i ofronte.
Prej atëherë, Neofone ka nisur një betejë ligjore që ka përfshirë edhe ankesa në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe padi në Gjykatën Administrative.
Objekti kryesor i ankesave ka qenë detyrimi i AKEP për të ndërhyrë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për të detyruar Vodafone të negocionte një tarifë më të arsyeshme.
Por, në të gjitha rastet AKEP i ka refuzuar ankesat e Neofone, duke argumentuar se Vodafone Albania nuk ka statusin e Operatorit me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT) për terminimin e thirrjeve hyrëse ndërkombëtare dhe AKEP nuk mund ta detyrojë të lidhë marrëveshje aksesi/interkoneksioni me një operator tranzitues për terminimin e këtyre thirrjeve dhe as të rregullojë tarifën e shërbimit, përfshirë në procedura zgjidhje mosmarrëveshjeje.
Dilema e rregullimit të tregut të thirrjeve ndërkombëtare
Rregullimi i tregut të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare ka ngritur diskutime dhe dilema për AKEP në vitet e fundit. Prej afërsisht një dekade, AKEP e ka hequr këtë treg nga rregullimi dhe përcaktimi i tarifave mund të bëhet vetëm në marrëveshje mes operatorëve të përfshirë.
Përkohësisht, në tetor 2018, Këshilli Drejtues i AKEP e vendosi sërish tregun në fjalë nën rregullim. Të tre sipërmarrësit Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom u shpallën OFNT në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare dhe u vendosën masat përkatëse rregullatore për detyrimin e mosdiskriminimit dhe detyrimin e transparencës.
Por, një muaj më vonë, në nëntor 2018, vendosi shfuqizimin e vendimit të marrrë dhe heqjen e këtij tregu nga rregullimi.
Në këtë vendim të dytë, AKEP vendosi nisjen e procedures për rikryerjen e analizës për tregjet përkatëse, si dhe të tregjeve të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke garantuar harmonizim dhe përputhshmëri me legjislacionin e Komisionit Europian.
Në përfundim të konkluzioneve të analizës së fundit të tregut, në qershor 2020, AKEP konfirmoi qëndrimin për mosrregullimin e tregut të terminimit ndërkombëtar të thirrjeve ndërkombëtare. Megjithatë, AKEP u shpreh se do të mbajë në vëzhgim këtë treg, deri në plotësimin e tërësisë së kushteve për ndërmarrjen e një analize të re. Në vendimin e AKEP thuhet se përftimi i modelit të kostove dhe për rrjedhojë i një mekanizmi eficient njësimi tarifor do të mundësojë në momentin më të përshtatshëm një analizë të plotë rregullatore, për sa i takon terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare.
Lidhur me këtë çështje, AKEP nuk ka pranuar rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës që, mes të tjerash, kërkonte që AKEP të merrte masa për shmangien e subvencionimit nga të ardhurat e realizuara në tregun e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare nga Operatorët me Fuqi të Ndjeshme në tregun e shitjes me pakicë, duke aplikuar tarifa nën kosto.
Autoriteti i Konkurrencës argumenton se tregu i terminimit ndërkombëtar duhet rregulluar, për të mos lejuar shtrembërimin e konkurrencës në tregjet e tjerë, përfshi tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Deri tani, AKEP nuk ka njoftuar kryerjen e një analize të re të tregut dhe as ndërmarrjen e afërt të masave të reja rregullatore për tregun e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.
Në këto kushte, Nefone e ka zhvendosur betejën ligjore me Vodafone në Autoritetin e Konkurrencës, duke kërkuar që ky institucion ta hetojë operatorin më të madhe celular për abuzim me pozitën dominuese, kërkesë që është pranuar nga ky institucion. / Monitor