Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të rrëzojë përfundimisht marrëveshjen për rritjen e dakordësuar të çmimeve të autoshkollave. Marrëveshja e nënshkruar midis Drejtorisë së Transportit Rrugor, Drejtorisë së Tatimeve dhe shoqatave të autoshkollave, përcaktonte vendosjen e një çmimi minimal prej 85 mijë lekësh për kursin e patentës.
Pasi e pezulloi fillimisht zbatimin e marrëveshjes, Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e të premtes, tha se ajo ka për objekt de facto dhe de jure caktimin e tarifës së pagesës dhe kostos referuese minimale.
“Është një marrëveshje e ndaluar në vetvete për nga objekti, në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma a), të ligjit nr. 9121/2003, pasi me hyrjen në fuqi do të çojë në praktika të njëjta në çmimet/tarifat e pagesës për përgatitjen dhe fitimin e kategorisë së leje drejtimit, dëshmisë ose certifikatës, duke penguar, kufizuar dhe shtrembëruar konkurrencën në treg. Si e tillë kjo Akt Marrëveshje, në kuptim të nenit 4, pika 2, të ligjit nr. 9121/2003, është e ndaluar.
Sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 970, datë 24.03.2023 vendosi:
I. Akt Marrëveshja nr. 2729 prot., datë 13.02.2023, e lidhur ndërmjet palëve: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave”, Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë” dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlerësohet si një akt marrëveshje në kundërshtim me nenin 4 të ligjit 9121.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
II. Monitorimin e tregut të shërbimit të përgatitjes dhe pajisjes me leje drejtimi, sipas kategorisë së lejedrejtimit, dëshmisë ose çertifikatës, për një periudhë 1 (një) vjeçare.
III. Moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës në kuptim të nenit 74, pika 1, gërma c), të ligjit nr. 9121/2003”, deklaroi Autoriteti i Konkurrencës.