Ekonomi “Autostrada për askund” që fundosi Malin e Zi, Kina mund të marrë...

“Autostrada për askund” që fundosi Malin e Zi, Kina mund të marrë tokë nga vendi fqinj

Mediat britanike i kanë kushtuar ditën e sotme një artikull autostradës të mbetur përgjysmë pjesë e iniciativës “Një brez, një rrugë”, në Malin e Zi që kërcënon të falimentojë vendin e vogël në Ballkan.

Kompania shtetërore “China Road and Bridge Corporation”, e cila është duke ndërtuar një prej veprave më të madha dhe që importoi dhe punëtorë nga Kina, nuk ka përfunduar seksionin e parë të autostradës 440 km që e lidh Malin e Zi me Beogradin.

Kësti i parë i huasë 1 miliardë dollarëshe të marrë nga Banka Shtetërore Kineze duhet të paguhet këtë muaj dhe është ende e paqartë nëse Mali i Zi do të shlyejë detyrimet.

Një kopje e huasë së siguruar nga mediat britanike tregon se nëse Mali i Zi nuk arrin t’i përmbahet kontratës, atëherë Pekini ka të drejtë të marrë tokë nga ky vend, për sa kohë ajo nuk i përket ushtrisë apo nuk përdoret për qëllimet diplomatike.

Zv.kryeministri Abazoviç kishte deklaruar më herët se kushtet e kësaj kontrate ishin qesharake dhe se qëndronin jashtë logjikës së interesave të vendit.

Rruga që lidh portin e Barit në Malin e Zi, përgjatë detit Adriatik, me kryeqytetin serb është në qendër të debatit për influencën e Kinës në Europë mes vendeve anëtare të Unionit dhe atyre që aspirojnë të bëhen pjesë nga Ballkani Perëndimor si, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Në një kohë që Pekini shton arritjet ekonomike nën Iniciativën “Brez dhe Rrugë”, vendet e varfra përgjatë Azisë dhe Afrikës kanë marrë hua tërheqëse nga Kina dhe premtimin për realizimin e projekteve transformuese.

Mali i Zi është vendi i parë që e gjen veten në një situatë të tillë me atë që është quajtur tashmë “autostrada për askund”.

Ideja e ndërtimi të kësaj autostrade me Serbinë daton që prej vitit 2005, një vit përpara votës së Malit të Zi për pavarësisë. Projekti mbështetej në këtë kohë dhe nga Milo Djukanovic, i cili shërbeu si president dhe kryeministër i vendit prej vitit 1991.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, janë të rrethuara nga vendet anëtare të BE. Por rajoni ka vuajtur nga investimet e pakta dhe qeverisja e dobët që nga luftërat e pavarësisë të viteve 1990.

Gjatë dekadës së kaluar, ndërsa BE luftoi me një sërë krizash dhe vuri në pritje zgjerimin e bllokut, fuqitë e tjera, duke përfshirë Rusinë dhe Turqinë, kanë lëvizur për të mbushur boshllëkun.

Kina ka qenë veçanërisht aktive. Në 2012, ajo filloi mbajtjen e samiteve vjetorë ’16 +1 ‘me shtetet e Evropës Lindore dhe Jugore për të diskutuar mundësitë e investimeve.

Investimet e Kinës në rajon arrijnë në më shumë se 6 miliardë euro, përfshirë autostrada, linjat hekurudhore dhe termocentralet. Serbia, ekonomia më e madhe në rajon dhe aleati i vjetër i Pekinit, ka marrë pjesën e luanit.

Mali i Zi mund të jetë tërheqës për Kinën për një numër arsyesh. Ai i jep Pekinit një port hyrje në Evropë nga Adriatiku dhe lidhjet e ngushta ekonomike dhe politike me qeverinë në Podgorica mund të rezultojnë të vlefshme për Kinën nëse Mali i Zi bëhet një anëtar i BE.

Zv/kryeministri Abazoviç tha gjatë një interviste në maj se ai do të konsideronte mundësinë e hapjes së një hetimi korrupsioni në vendimin e qeverisë së mëparshme për të mbështetur autostradën kineze.

Por që atëherë ai ka hyrë në bisedime me Pekinin rreth mënyrës së ripagimit të parave që Mali i Zi i ka borxh dhe ka ndaluar së foluri për shtypin ndërkombëtar dhe nuk ka bërë më thirrje për ndihmë nga BE.