Nëse Departamenti Amerikan i Drejtësisë e mban skandalin McGonigal nën kontroll, duke kufizuar akuzat te “mosdeklarimi” i marrëdhënieve të caktuara, imazhi i pastër i FBI-së ka gjasa do të bëhet pis.
Nga Gjergj Erebara – BIRN
“FBI-ja është e pakorruptueshme”, shkroi Mario Puzzo në romanin e tij klasik të shumëshitur të vitit 1969 Kumbari, kur dy bosë mafiozë po diskutonin plane për një operacion të importit të drogës në shkallë të gjerë.
Në një libër në të cilin policia, gjykatësit dhe politika përshkruhen si gjëra që janë “në xhepin” e bosit mafioz Don Korleone, i cili përdor ndikimin që ka mbi ta në biznesin e tij, kjo me të vërtetë përbën një lavdërim shumë të fortë.
Siç duket, FBI e meriton këtë reputacion. Përgjatë historisë së saj, shumë pak mollë të kalbura janë identifikuar.
Gjithsesi, kjo mund të jetë duke ndryshuar. Charles McGonigal, një ish-drejtues i lartë i FBI-së i cili u tërhoq nga kjo punë më 2018, u akuzua dhe arrestua së fundmi për mosdeklarimin e marrëdhënieve të tij personale me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe persona pranë tij, si dhe për faktin se udhëtimet e tij në Shqipëri u paguan nga dikush tjetër.
Ai mori 225 mijë dollarë në cash nga një shqiptaro-amerikan, por thotë se ka një alibi për këtë, thotë se paratë janë marrë hua.
Duhet të vihet re se akuzat e ngritura kundër tij nuk përfshijnë korrupsionin. Prokurorët amerikanë thonë se ai është fajtor vetëm për mosdeklarimin e kësaj marrëdhënieje.
Akuza thotë gjithashtu se në Vjenë, në 18 nëntor 2017, ai intervistoi një biznesmen dhe politikan shqiptar që kërkonte hetimin e një komploti të dyshuar për vrasjen e tij.
Emri i këtij biznesmeni dhe politikani nuk jepet në aktpadi megjithëse vetëm një person, Tom Doshi, përkon me këtë përshkrim – pra që të jetë politikan dhe biznesmen shqiptar i cili pretendoi se kishte pasur një komplot për ta vrarë.
Doshi pretendoi se ish-kryeministri dhe presidenti i vendit Ilir Meta komplotoi për ta vratë në vitin 2015. Prokurorët shqiptarë që hetua pretendimin e gjetën atë të pabazë. Doshi më vonë u emërtua nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion më 2018.
McGonigal bëri së paku tre udhëtime në Shqipëri mes Shtatorit 2017 dhe Majit 2018, të gjitha të paguara nga sponsorë të panjohur për arsye të panjohura.
Gjithashtu, edhe nëse supozojmë se 225 mijë dollarët që iu dhanë atij nga “Personi A” ishin me të vërtetë borxh, nuk ka të dhëna që kjo alibi të jetë verifikuar.
Është gjithashtu e paqartë se si “Personi A” ishte në gjendje të siguronte 225 mijë dollarë në cash për t’ia dhënë atij hua; 225 mijë dollarë në cash nuk janë të lehta për shumicën e emigrantëve shqiptarë në SHBA.
Sa i përket biznesmenit politikan, ndërsa duket se intervista në Vjenë ishte false, nuk është e qartë se cilat ishin qëllimet e McGonigal në kryerjen e saj dhe as nuk kuptohet se pse prokurorët amerikanë nuk hetuan më thellë.
Nuk ka gjithashtu të dhëna që të sugjerojnë se FBI-ja apo Departamenti i Shtetit i SHBA-së të ketë kontaktuar autoritetet shqiptare për të kërkuar një hetim të përbashkët, megjithëse çështja duket se shqetëson të dyja vendet.
Shqipëria tani ka një zyrë prokurori të posaçëm, apo SPAK, e cila u krijua si pjesë e Reformës së Drejtësisë, sponsorizuar nga SHBA dhe BE, një reformë masive që ka kushtuar shumë në përpjekje diplomatike dhe në para.
Një investigim i përbashkët në këtë rast mund të jetë edhe një shembull i mirë dhe një proces mësimor për SPAK në termat e menaxhimit të rasteve komplekse anti-korrupsion dhe kundër pastrimit të parave.
Gjithsesi, duket se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dëshiron të merret vetëm me problemet e veta duke e mbajtur këtë çështje të kufizuar.
Politikanët shqiptarë kanë bërë lajm në SHBA edhe për përpjekje të tjera lobimi.
Ata kanë mësuar shumë kohë më parë se paraja blen akses në politikën e SHBA-së dhe kanë derdhur qindramijëra dollarë për këtë qëllim. Dhe disa raste kanë përfunduar në hetime penale.
Më 2019, dy shtetas amerikanë, njëri prej të cilëve shqiptaro-amerikan, u dënuan për shkeljen e ligjeve për financimin e fushatave amerikane.
Sipas gjykatës, ata morën 80 mijë dollarë nga një burim i huaj dhe i transferuan paratë te fondi i fushatës së ish-presidentit Barack Obama të vitit 2012. Ideja ishte që Edi Rama, në atë kohë kryetar i Partisë Socialiste në opozitë në Shqipëri, të kishte një mundësi për të dalë në foto me Obamën.
Nuk pati hetime mbi burimin e kësaj shumë parash.
Hetimet në situata të ngjashme që përfshijnë shpenzimet për lobim të Partisë Demokratike në opozitë gjithashtu nuk shkuan larg.
Etja e politikanëve shqiptarë për të ndikuar politikën në SHBA duket se shënoi kulmin në vitin 2017, kur Regjistri i Agjentëve të Huaj të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, i cili rendit kompanitë amerikane të paguara nga entitete të huaja, paraqiti gjashtë kontrata aktive nga parti politike shqiptare. Në të njëjtën kohë, Britania dhe India kishin pesë kontrata secila.
Shumat e shpenzuara nga politikanët shqiptarë në lobimet në SHBA janë domethënëse. Më 2016, Partia Socialiste deklaroi në bilancin e vet total të ardhurash prej 86 milionë lekësh. Por në 2017, ajo nënshkroi kontrata lobimi me vlerë 240 mijë dollarë.
Duket se ajo ishte e gatshme të shpenzonte një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të saj totale vjetore, jo për të ndikuar votuesit në Shqipëri, por politikanët në SHBA.
Në mënyrë të ngjashme, Partia Demokratike deklaroi 57 milionë lekë të ardhura më 2016 dhe nënshkroi kontrata lobimi me vlerë 34 milionë lekë, edhe më shumë se sa socialistët.
Nuk janë vetëm partitë e mëdha ato që duket se kanë zbuluar se si të blejnë simpatinë e politikës së SHBA-ve.
Shumë individë tentuan të bëjnë të njëjtën gjë. Saimir Tahiri, një ish-ministër aktualisht në burg për akuza për shpërdorim detyre, pagoi 20 mijë dollarë te një lobues amerikan për të ndaluar Ambasadën e SHBA-së në Tiranë të komentonte mbi çështjen e tij gjyqësore.
Më 2017, dy biznesmenë shqiptarë paguan 50 mijë dollarë për të përfshirë politikën amerikane në një mosmarrëveshje biznesi në Shqipëri.
Gjithsesi, shërbimet që McGonigal duket se i dha politikës shqiptare e çojnë lojën në një nivel krejt të ri.
Te Kumbari, politika e SHBA-së paraqitet si e tillë që është në xhepin e Korleones. Por McGonigal mori udhëtimet e paguara – dhe me shumë gjasa edhe shumë para të thata – ndërsa ishte zyrtar i lartë i FBI-së së “pakorruptueshme.”
Nëse çështja kufizohet te akuzat për modeklarim, pa hetime të mëtejshme se kush pagoi për udhëtimet e tij dhe pse, kjo nuk do të ndihmojë imazhin e SHBA-së nëpër botë.
Dështimi për të kryer një hetim shumëdrejtimësh mbi kush e pagoi atë dhe pse mund të dërgojë një mesazh të qartë te batakçinjtë e shumtë nëpër botë se FBI nuk e meriton më reputacionin si institucion i pakorruptueshëm.