Ata shquhen për pasqyrimin në rrjetet sociale të pasurisë së tyre ekstravagante, teksa tregojnë jetesën milionere të karakterizuar nga udhëtimet me avionë privat, markat më të shtrenjta të rrobave, festat e çmendura dhe tigrat si kafshë shtëpiake.
Po flasim për “Fëmijët e Pasur të Dubait”, të cilët kanë “çmendur” rrjetin me luksin e shfrenuar, teksa faqja në Instagram ka më shumë se 230,000 ndjekës. Këta të rinj që s’kanë punuar kurrë në jetën e tyre, “lundrojnë” në shampanjë të shtrenjtë dhe kënaqen me shooping, teksa nuk mungojnë pushimet luksoze në diellin përvëlues të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Fëmijët e pasur rregullisht dalin në foto me kafshët e tyre ekzotike duke përfshirë tigrat, leopardët, devetë, majmunët dhe madje diku mes luksit mund të shohësh edhe një luan të bardhë që një vajzë milionere e ushqen me qumësht.
Dubai, i njohur për pazaret luksoze dhe gjallërinë e jetës së natës, duket të jetë vendpushimi i përsosur për këta individë të pasur.
Një foto në faqen në Instagram tregon një makinë që ecën nëpër shkretëtirë, ndërsa rrethohet nga një numër i madh devesh, që mund të shihen në dritare. Në një tjetër foto dy vajza relaksohen në një vaskë të nxehtë me një akuarium peshqish shumëllojësh dhe ekzotikë.
Çaj pasdite dhe shampanjë për mëngjes në Burj Al Arab dhe sushi në Nobu shpesh shijohen në këto vende ekskluzive.
Ndërkohë një tjetër foto tregon reperin Tinie Tempah, i cili ishte në Dubai për pushime, duke ecur me një tigër që e mban si kafshë shtëpiake me zinxhir në një kopsht dekadent. Një postim tregon një bjonde simpatike me një makinë luksoze sportive, ndërsa perëndimi i diellit në qytetin madhështor i “dekoron” foton.
Padyshim që vajzat e pasura të elitës gjithmonë fotografohen duke shfaqur rrobat e tyre, këpucët dhe, natyrisht, çantat e tyre kur sapo dalin nga qendrat tregtare.
Duke u shfaqur në avionët e tyre privat, në krye të disa prej ndërtesave më të larta në botë dhe duke u shtrirë në jahtet e tyre, fëmijët e pasur të Dubait me të vërtetë tregojnë se dinë ta shpenzojnë pasurinë e tyre me stil.