Policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar për avionin që u rrëzua dje në Vermosh në një livadh. Sipas policisë, njoftimi i parë u mor në orën 12:30 në sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe.
Pasi uniformat blu shkuan në vendin e ngjarjes, brenda avionit të vogël sportiv nuk gjetën asnjë send të kundërligjshëm.
“Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore rreth 800 metra nga kufiri me Malin e Zi, është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 metër, në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shkodrës.
Ndërkohë, grupi hetimor është duke bashkëpunuar me homologët në Mal të Zi dhe Kosovë për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.
Avioni i vogël tentoi të ngrihej në fluturim dhe u rrëzua sërish në tokë. Piloti nuk është gjetur në vendngjarja, dhe sipas informacioneve nga grupi hetimor, dyshohet se u largua me një fuoristradë që kishte shkuar për ta marrë.