Një avion civil që nuk iu përgjigj autoriteteve ka alarmuar Uashingtonin. Avionët ushtarakë F16 u ngritën në fluturim duke e shoqëruar avionin deri në rrëzimin e tij në një terren malor pranë Virxhinias.
Sipas autoriteteve, në momentin e rrëzimit në bordin e avionit ndodheshin 4 persona. Autoritetet amerikane bëjnë me dije se në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e kërkim-shpëtimit, por nuk kanë gjetur asnjë të mbijetuar.
“Ushtria amerikane ishte përpjekur të krijonte kontakte me pilotin, i cili nuk u përgjigj, derisa Cessna më pas u rrëzua pranë Pyllit Kombëtar të George Washington. Avionët Norad u urdhëruan të udhëtonin me shpejtësi supersonike dhe një zhurmë zanore mund të jetë dëgjuar nga banorët e rajonit”, tha në një deklaratë Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut.
Avioni që u rrëzua ishte regjistruar në një kompani me bazë në Florida. John Rumpel, i cili drejton kompaninë, i tha New York Times se vajza e tij, mbesa 2-vjeçare, dado e saj dhe piloti ishin në aeroplan. Ata po ktheheshin në shtëpinë e tyre në East Hampton pasi vizituan shtëpinë e tij në Karolinën e Veriut.
Zyrtarët amerikanë bënë me dije se avionët F-16 nuk e rrëzuan avionin dhe se është praktike për Administratën Federale të Aviacionit që të ndjekë këtë procedurë kur vërehet se një avion po fluturon në mënyrë të pasigurt.
Policia në Kapitol të SHBA qëndroi në gatishmëri të lartë teksa avioni i vogël kalonte nëpër hapësirën ajrore.