Një avion spiun amerikan u pikas javën e kaluar në një bazë ajrore britanike, prej nga u nis për të monitoruar situatën në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës, raportojnë mediat britanike. Ishte ndoshta një prej momenteve më të tensionuara të konfliktit mes dy vendeve, me raportime për rreshtimin e mbi 100 mijë trupave në kufi, si dhe vendosjen e anijeve luftarake në Detin e Zi.
Avioni i quajtur “Lockheed U-2”, por i pagëzuar “Dragonjëza”, sipas emrit të koduar të përdorur nga CIA për të, u nis me 16 prill nga baza ajrore Fairford në Britani, drejt Ukrainës.
Avioni është parë shpesh në ishull gjatë javëve të fundit, por si Ministria britanike e Mbrojtjes, po ashtu edhe Forcat Ajrore Amerikane nuk kanë dhënë komente mbi praninë e tij aty.
Avionët “Lockheed U-2” janë përdorur më parë në konfliktet në Afganistan dhe Irak. Ata nisën të përdoreshin nga CIA që në vitin 1955 gjatë Luftës së Ftohtë, dhe kanë kryer misione top-sekrete në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Vietnam dhe Kubë, duke shërbyer për mbi 50 vite në ushtrinë amerikane.