Një ngjarje e rëndë dhe e pabesueshme u shënua në rajonin e Lahores në Pakistan, ku qindra avokatë sulmuan mjekët në një spital zemre dhe për pasojë humbën jetën 3 pacientë.
Videot kanë fiksuar pamje ku avokatët të armatosur me mjete të forta dhe madje me armë, hynë në spitalin e Lahores dhe rrahën mjekët e shkatërruan pajisjet.
Në panik e sipër dhjetëra mjekë të tjerë dhe stafi i spitalit u larguan me shpejtësi dhe u fshehën duke lënë pacientët në mëshirë të fatit, përfshirë këtu dhe ata në gjendje kritike.
Policia ndërhyri për të shuar këtë sherr të paimagjinueshëm dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupin e avokatëve. 20 persona u vunë në pranga.
Burime spitalore bëjnë me dije se një grua dhe dy burra humbën jetën në spital, pasi doktorët nuk mundën t’iu asistonin për shkak të dhunës. Besohet se gruaja që humbi jetën ishte në reanimacion.
Autoritetet vendase raportojnë se e gjitha kjo nisi disa javë më parë, kur një grup avokatësh u konflikuan me doktorët, ndërsa kishin çuar nënën e një kolegu në spital në gjendje të rëndë. Pas ndërhyrjes së sindikatave sherri u sheshua disi, për të kulmuar ditën e mërkurë, kur në rrjet u publikua një video nga kamerat e sigurisë të spitalit.