Petrit Ismaili, avokati i ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka dhënë një deklaratë për mediat pas vendimit të GJKKO, që la nën masën e sigurisë “arrest me burg” ish-kryebashkiakun, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Ismaili tha se Dako po hetohet për një fakt penal historik tashmë, ka 10-12 vjet, ndërsa shtoi se prokurori i çështjes nuk kishte asnjë fakt e asnjë provë për masën e kërkuar. Ndërkohë, ai shtoi se vendimi në fjalë do të ankimohet.
“Vendimi për mendimin tonë është në dispropocion për kohën e kryerjes. Dako po hetohet për një fakt penal historik. Ka 10-12 vjet që pretendohet për veprën penale, po t’i referohemi dispozitave për këto lloj masa sigurimi kërkohet një veprim procedural i ngutshëm për të marrë këtë masë. Vepra penale ka mbi 10-12 vjet. Prokurori nuk tregoi asnjë provë për këtë veprim të ngutshëm e asnjë provë për të justifikuar kushtet e kriteret e masës së sigurisë. Kërkesa jonë është ndryshimi i masës së sigurisë. Dako e ushtron aktivitetin e tij nëpërmjet organeve kolegjiale. Çdo strukturë ka përcaktuar detyrat. Nuk mund të mbajë kryetari përgjegjësi për strukturën organike. Edhe gjatë gjykimit sidomos për veprën e dytë doli qartë që është lapsus i prokurorisë. E pranoi lapsusin dhe do e provojmë që vepra penale nuk ekziston”, u shpreh avokati i Dakos, Petrit Ismaili.