Aktualitet Avokati i Fatmir Mediut: Vendimi i Gjykatës, akt jo kushtetues

Avokati i Fatmir Mediut: Vendimi i Gjykatës, akt jo kushtetues

Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, nëpërmjet avokatit të tij, e ka quajtur një akt që shkel Kushtetutën dhe Konventën e të Drejtave të Njeriut, vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme për t’a rigjykuar atë për çështjen “Gërdeci”.

“Vendimi përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji. Është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Larte”, thuhet ndër të tjera në reagimin e avokatit të Mediut, Ardian Visha.

Ndërkohë theksohet se me këtë vendim “shkelja e ligjit është e dukshme sepse e njëjta çështje është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga Gjykata e Shkallës Parë dhe Gjykata e Apelit në Tiranë në vitin 2019”.

Sipas avokatit të Mediut, ky vendim cenon parimin e sigurisë juridike, parimin e gjykimit, parimin e ligjit favorizues dhe se synon procedimin për një akuzë, afati parashkrues i së cilës ka kaluar me kohë.

Avokati Visha nënvizon se pasi të njihen me arsyetimin e këtij vendimi, do reagojmë me të gjitha mjetet ligjore.